Lidhje

Kosovë: marrëveshja për t'i dhënë fund grevës nuk pranohet nga Sindikata e Arsimit


Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës janë pajtuar sot që t’i jepet fund grevës së mbi 30 mijë punonjësve të arsimit dhe të shëndetsisë. Por ky vendim ende nuk është pranuar nga Sindikatat e Bashkuara të Arsimit, Shkencës e Kulturës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Adem Salihaj tha sot se marrëveshja e nënshkruar nga ai vetë si dhe shefat e Bashkimit të Sindikatave dhe Këshillit Grevist, parasheh ndërmarrjen e disa veprimeve nga ana e qeverisë për të përmirësuar gjendjen e punonjësve të këtyre sektorëve. Ai tha se qeveria do të fillojë zbatimin e pjesshëm të kontratës kolektive si dhe do të shqyrtojë sërish çështjen e nivelizimit të pagave për punonjësit e arsimit ndërsa për ata të shëndetësisë të mundësojë financimin nga të hyrat vetanake.

Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me pagat do të shqyrtohen nga komisione të përbashkëta të qeversië, Sindikatave si dhe mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura thanë se marrëveshja tashmë e pranuar me qeverinë, nuk përmbushë në tërësi kërkesat e tyre, por paraqet një ofertë të mirë dhe shpresë për ndryshim të gjendjes, prandaj ata e shpallin të mbyllur grevën e filluar të hënën. Por, me këtë vendim nuk janë pajtuar zyrtarët e sindikatës së bashkuara të arsimit të cilët këkrojnë përmbushje të plotë të kërkesave të tyre.

XS
SM
MD
LG