Lidhje

Shala: Qëndrimi ynë - Pavaresia e Kosovës vitin e ardhshëm

  • Linda Karadaku-Ndou

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, ju sot ishit në takim me zotin Rugova dhe me delegacionin që do të përfaqësojë Kosovën në negociatat për statusin e saj përfundimtar. Cila do të jetë platforma e këtyre bisedimeve?

Blerim Shala: Mendoj që qëndrimi i palës kosovare është fare i qartë. Është thënë nga të gjithë liderët tonë, që ishin sot edhe në mbledhjen e delegacionit të Kosovës, pra qëndrimi i kosovarëve është që pavarësia duhet të realziohet gjatë vitit të ardhshëm dhe të njihet ndërkombëtarisht, kështu që shpresojmë që në 1 janar të vitit 2007, Kosova të jetë anëtare fuqiplotë e Kombeve të Bashkuara. Të gjitha materialet, të gjitha propozimet, dokumentet që do të përgatiten prej nesh e të cilat do të jenë pjesë përbërëse e platformës negociatore, do të kenë si pikënisje dhe pikëmbërritje për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Atëhere, çfarë do të negociohet, për çfarë çështjesh specifike do të negociohet?

Blerim Shala: Kemi të bëjmë me një sërë problemesh, me një sërë çështjesh, të cilat janë pjesë përbërëse e akomodimit të pavarësisë së Kosovës në këtë rajon ku jemi sot dhe akomodimit të brendshëm të pavarësisë së Kosovës. Çfarë do të thotë kjo, ne duhet të përgatisim kushtetutën e një shteti liberal demokratik, ku të drejtat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë dhe të komunitetit në pakicë, duhet të jenë të respektuara. Kosova duhet të jetë shembull stabiliteti në rajon. Duhet të ketë stabilitet dhe qëndrueshmëri të brendshme edhe në aspektin ekonomik, duhet të kontribuojnë për stabilitetin e rajonit, duhet t’i njohë kufijtë e të gjitha shteteve në rajon dhe në këtë aspekt, ta japë kontributin e saj, që i gjithë rajoni t’i bashkangjitet Bashkimit Evropian dhe paktit të NATO-s.

Zëri i Amerikës: Çfarë vendi do të zerë në kërë platformë negociatore ajo që Kosova i ofron pakicave, veçanërisht pakicës serbe?

Blerim Shala: Mendoj që ju e dini që është bërë një përvojë mjaft e mirë në tri vitet e kaluara përsa i përket pakos së standarteve për Kosovën, të cilat u transformuan prej standarteve para statusit në standarte dhe status, shumë elemente që janë në këtë program janë të mirëseardhura dhe në periudhën e ardhshme me siguri që do të shtohen edhe çështje të tjera. Kemi të bëjmë edhe me adresimin e disa çështjeve specifike siç janë kishat, manastiret, trashëgimia kulturore dhe shumë çështje të tjera; por duhet ta dimë të gjithë ne, që Kosova përveçse duhet të jetë shtet funksional në aspektin e njohjes ndërkombëtare, duhet të jetë shtet funksional edhe përsa i përket funksionimit të pushtetit të saj. Prandaj kushtetuta e Kosovës do të garantojë që nuk do të ketë kurrfarë konflikti interesash midis pushtetit qëndror dhe pushtetit lokal dhe në këtë kontekst mendoj që mund të përgatisim një kushtetutë shumë të mirë.

Zëri i Amerikës: Zoti Shala, Serbia vazhdon të theksojë se pavarësia e Kosovës është e papranueshme të, ndërkohë që për shqiptarët e Kosovës, siç është thënë, pavarësia është çështje e panegociueshme. Çfarë lloj kompromisi do të mund të gjendet midis dy qëndrimeve diametralisht të kundërta?

Blerim Shala: Mendoj që, edhe presidenti Rugova e tha sot që kompromisi për Kosovën është pavarësia e saj, duke ditur kontekstin historik, zhvillimet politike dhe historike në vend gjatë 15 vjetëve të fundit. Përsa i përket Serbisë, e dini fare mirë që bashkësia ndërkombëtare ka thënë në mënyrë shumë të qartë që ajo nuk ka të drejtë të vetos në këtë proces. Ajo ka interesa përsa i përket akomodimit të pakicës serbe në Kosovë dhe raporteve fqinjësore; shpresojmë se edhe Kosova do të jetë shumë e interesuar që të ketë raporte të mira me të gjitha fqinjët e saj dhe në këtë kontekst ne mund të respektojmë interesat e saj legjitime edhe përsa i përket çështjes së kishave, manastireve dhe çështjeve të tjera. Por pavarësia e Kosovës nuk është çështje që do të negociohet as midis nesh edhe bashkësisë ndërkombëtare sepse mendoj që edhe në bashkësinë ndërkombëtare siç e dini, shenjat janë fare të qarta që pikëpamja e cila mbizotëron është që pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë. Ju kujtoj që zoti Solana para disa ditësh tha që çelësi për statusin e Kosovës do të jetë çfarë ndikimi do të ketë ai status në stabilitetin e rajonit. Kur i dimë të gjitha opsionet e mundëshme për statusin e Kosovës mendoj që të gjithë së bashku mund të konkludojmë që pikërisht pavarësia e Kosovës me kufijtë e njohur nga kushtetuta e vitit 1974 është zgjidhja më e mirë për stabilitetin e rajonit dhe për vetë qytetarët e Kosovës. // lk

XS
SM
MD
LG