Lidhje

Kai Eide: Procesi i statusit duhet të fillojë, megjithëse mbeten shumë probleme


I dërguari i posaçëm i OKB-së në Kosovë, Kai Eide, në raportin që i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Annan shprehej se ka ardhur koha për hapjen e procesit të statusit të Kosovës. Në raportin e zotit Eide, u bazua zoti Anann për t’i sugjeruar Këshillit të Sigurimit që të autorizojë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës:

Zoti Eide thotë se megjithëse në Kosovë mbetet ende shumë punë për të bërë, kushtet janë të pranueshme për të filluar bisedimet për statusin. Sipas tij asnjëherë mund të mos jetë momenti i përkryer për bisedimet për këtë çështje e cila do të vazhdojë të jetë shumë delikate politikisht, por zoti Eide thekson se një vlerësim i përgjithshëm të sjell në përfundimin se procesi duhet të fillojë. Ai paralajmëron se tani që është hyrë në rrugën e shpresës nuk mund të lejohet më një rikthim tek amullia e mëparshme.

Zoti Eide thotë se Kosova ka hyrë në një periudhë të re të një zhvillimi dinamik dhe se procesi politik ka hyrë në një rrugë gjithnjë e më energjike. Ky proces sipas tij hap perspektivën për procesin e statusit.

Përsa u takon standardeve, soti Eide vlerëson se përparimi nuk ka qenë njëlloj në të gjitha drejtimet.

Ai thotë se është urgjente që të shënohet përparim në zbatimin e mëtejshëm të standardevem por shton se nuk ka gjasa që shtyrja e procesit të statusit të sjellë në rezultate të mëtejshme dhe të prekshme.

Ai paralajmëron që të mos hiqet vëmendja nga standardet për shkak të statusit. Ai thekson nevojën që procesi të zhvillohen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar ka ende një prani të konsiderueshme në Kosovë. Megjithatë ai thotë se nuk duhen vendosur afate artificiale për përcaktimin e tij.

Zoti Eide vlerëson rolin që ka luajtur deri tani UNMIK-u, por thotë se pesha e rolit të tij tani po bie. Zoti Eide thotë se meqë Kosova është në Evropë, Bashkimi Evropian duhet të luajë në të ardhmen rolin kryesor atje, pasi do të ketë ndikimin e duhur dhe mund të ofrojë perspektivën e integrimit.

Statusi përfundimtar duhet të shoqërohet nga shprehja e qartë e komunitetit ndërkombëtar e vendosmërisë për të vazhduar praninë, për të mbështetur procesin, si edhe rezultatin. BE-ja duhet të rrisë praninë në terren dhe kur të përcaktohet statusi, duhet ta rrisë këtë rol. Edhe NATO-ja duhet të vazhdojë praninë dhe prania amerikane në KFOR do të jetë thelbësore për të treguar qartë se angazhimi amerikan vazhdon. Ai thotë gjithashtu se edhe OSBE-ja duhet të ketë rolin e saj në terren.

Zoti Eide e sheh suksesin në drejtim të kuadrin e konsolidimit të institucioneve, përfshirë pushtetin ekzekutiv, legjislativ dhe të drejtësisë, si edhe në nivelet lokale.

Zoti Eide e vë theksin gjithashtu edhe tek transferimi i kompetencave, por tërheq vëmendjen se zhvillimi i institucioneve minohet nga një prirje e fortë mes politikanëve për ta konsideruar veten përgjegjës para partive të tyre politike, në vend që të ndjehen përgjegjës para publikut të cilit i shërbejnë. Ai thotë se për këtë arsye emërimet shpesh bëhen mbi bazat e lidhjebe politike dhe klanore dhe jo aftësive.

Në raport thuhet se serbët e Kosovës kanë vendosur të mos marrin pjesë në institucionet politike dhe të mbajnë struktura. Ai thotë se shqiptarët nuk kanë bërë përpjekjet e mjaftueshme për t’i përfshirë ata, por shton se do të ishte në interesin e serbëve të merrnin rolin e tyre politik.

Përsa i takon ekonomisë, zoti Eide thotë se është arritur sukses, por gjithsesi gjendja nuk lë vend për shumë optimizëm, duke qenë se papunësia është e lartë dhe varfëria po ashtu. Por ai thekson se fillimi i procesit të statusit do të ndikonte pozitivisht edhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike.

Zoti Eide përmend problement me vendosjen e rendit dhe thekson se gjyqësori konsiderohet institucioni më i dobët. Ai thotë se qeveria nuk ka marrë masat e duhura për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

I dërguari i posaçëm thotë se pakësimi që po i bëhet pranisë së gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtare është i parakohshëm dhe duhet rimarrë menjëherë në konsideratë.

Zoti Eide e sheh të zymtë gjendjen përsa i takon ndërtimit të një shoqërie shumë-etnike. Ai sugjeron që udhëheqësit e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar të marrin masa urgjente për ta përmirësuar këtë gjendje.

Ai thotë se për të rregulluar situatën krimet duhet të luftohen më me forcë, por nga ana tjetër Beogradi duhet të heqë dorë nga komentet tensionuese që mund të ndikojnë edhe më shumë.

XS
SM
MD
LG