Lidhje

Nënsekretari amerikan i shtetit, Burns do të vizitojë Ballkanin


Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha sot se Shtetet e Bashkuara do të bllokojnë anëtarësimin në Nato ose përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë e Malin e Zi dhe Kroacinë në se disa prej të akuzuarve kryesorë për krime lufte në Ballkan nuk kapen për t’u nxjerrë para drejtësisë. Nënsekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Politike Nikolas Burns i bëri këto komente sot në prag të një vizite në Ballkan gjatë së cilës do të diskutojë edhe për procesin e negociatave për statusin përfundimtar për Kosovën.

Zyrtari i lartë amerikan i cili fillon javën e ardhshme një mision diplomatik në Bruksel, Sarajevë, Prishtinë e Beograd tha se udhëtimi është fillimi i një nisme diplomatike amerikane për Ballkanin, veçanërisht për të ardhmen e Kosovës, tani që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, rekomandoi fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar.

Çështja e statusit të Kosovë është bllokuar prej 6 vjetësh, tha zoti Burns dhe statu-kuoja e tanishme nuk mund të vazhdojë më.

“Banorët e rajonit kanë të drejtë të dinë se kanë një të ardhme dhe se mund ta kontrollojnë të ardhmen. Dhe në se e ardhmja e Kosovës do të jetë një lidhje me Serbinë e Malin e Zi ose pavarësia, vendimi nuk do të merret nga Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara ose vendet evropiane. Kjo u takon banorëve ta vendosin. Por ata duhet të kenë një kornizë bisedimesh. Dhe Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht vendimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan për fillimin e këtyre bisedimeve brenda një kohe të shkurtër”.

Zoti Burns tha se ai shpreson që bisedimet të fillojnë, siç u shpreh ai, “shumë përpara përfundimit të këtij viti”.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara do të caktojnë një të dërguar të posaçëm, që do të punojë në partneritet me të dërguarin e OKB-së për bisedimet.

“Negociatat do të drejtohen nga Kombet e Bashkuara, nga një zyrtar i lartë i caktuar nga zoti Anan. Uashingtoni do të caktojë përfaqësuesin e vet për të punuar në partneritet me të dërguarin e OKB-së. Shtetet e Bashkuara kanë ndikim të madh në Kosovë dhe në rajon për shkak të rolit që luajtën për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve nga Millosheviçi.”

Para nisjes për turneun në Ballkan, zoti Burns tha se administrata e Presidentit Bush do të mbajë një qëndrim të prerë lidhur me çështjen e krimeve të luftës, megjithë vendimin e Bashkimit Evropian për të filluar bisedimet e anëtarësimit me Kroacinë dhe bisedimet për një marrëveshje asocimi me Serbinë e Malin e Zi. Zoti Burns shprehu kundërshtimin e Uashingtonit ndaj pohimeve të Kryeprokurores së Hagës Karla Del Ponte që Kroacia po bashkëpunon plotësisht me gjykatën ndërkombëtare lidhur me përpjekjet për të nxjerrë para drejtësisë gjeneralin Ante Gotovina.

Zoti Burns tha se Kroacia nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm dhe megjithë qëndrimin evropian, Shtetet e Bashkuara do ta bllokojnë anëtarësimin e Kroacisë në Nato përsa kohë që gjenerali të jetë i lirë. Po ashtu ai shprehu zhgënjim të thellë me Beogradin që gjenerali Ratko Mlladiç dhe Radovan Karaxhiç nuk janë kapur ende. Zoti Burns tha se gjatë vizitës së tij të fundit në Beograd në qershor, zyrtarët i thanë se kapja e Mlladiçit ishte e afërt dhe mund të bëhej para 10 vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

“Nuk po them se më gënjyen, por ata më thanë qartë se veprimi do të ishte i shpejtë. Tani, cilado qoftë arësyeja, arrestimi nuk ka ndodhur. Dhe një nga arësyet pse po shkoj në Beograd, është të pyes autoritetet se përse nuk ka ndodhur. Por po ashtu, t’u them, se në se duan marrëdhënie të plota me Shtetet e Bashkauyra dhe Naton, duhet t’i arrestojnë këta persona. Ky do të jetë mesazhi edhe për qeverinë e Kroacisë.”

Zoti Burns tha se administrata amerikane do të organizojë një takim të udhëheqësve të vendeve ballkanike muajin e ardhshëm në Uashington me rastin e 10 vjetorit të marrëveshjes së Daytonit për të diskutuar për të ardhmen e rajonit të Ballkanit, që ai tha se është e një rëndësie kritike për interesat e Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG