Lidhje

Shkencëtarët deshifrojnë strukturën gjenetike të virusit të gripit të vitit 1918


Shkencëtarët kanë deshifruar strukturën gjenetike të virusit të gripit, i cili shkaktoi vdekjen e dhjetra miliona njerëzve menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Ky lajm nuk është thjesht një kuriozitet historik. Me frikën e tanishme rreth një epidemie botërore të gripit të shpendëve, një zbulim i tillë i njeh njerëzit me strukturën e viruseve vdekjeprurës që mund të çojnë më vonë në krijimin e vaksinave më të mira kundër tyre.

Në vitin 1918, një virus i gripit shkaktoi vdekjen e 20 milion deri në 50 milion njerëzve në botë. Andrew Jakomas është njëri prej atyre që mbijetuan.

"Në atë kohë arkivolët e vegjël për bebet ishin aq të shumtë sa që shtriheshin përgjatë 4 ose 5 blloqe apartamentesh," tregon zoti Jacomas.


Por përse ishte ky virus kaq vdekjeprurës dhe ku e kishte origjinën? Pikërisht këtë kërkon të gjejë doktor Xhefri Tautenberger i Institutit të Patologjisë pranë Forcave të Armatosura.

"Ne duam të nxjerrim mësime nga studimi i virusit të vitit 1918 për të kuptuar se si formohen epidemitë botërore të gripit dhe çfarë duhet bërë për t’i parandaluar."

Shkencëtarët po përpiqen ta rikrijojnë virusin e 1918-s në laborator. Ata kanë gjetur mostra indesh të ushtarëve të vdekur nga gripi gjatë Luftës së Parë Botërore.

Askush nuk e ka izoluar ose ruajtur virusin e vitit 1918. Por ushtria amerikane ka ruajtur inde të ushtarëve të prekur të asaj kohe dhe Dr. Taubenberger thotë se shkencëtarët kanë arritur të analizojnë të gjitha gjenet e këtyre viruseve.

"Kjo është si të zgjidhësh një gjëzë ose të ndërtosh një mozaik," thotë shkencëtari.

Vitin e kaluar, shkencëtarët britanikë zbuluan se si virusi i vitit 1918, gjithashtu një virus shpendësh, arriti të përhapet tek njerëzit dhe të kthehet në epidemi botërore.

Xhon Skejhill, Drejtor i Institutit Kombëtar britanik për Studimet Mjeksore, thotë se studiuesit britanikë kanë arritur të deshifrojnë strukturën e njërës prej proteinave të virusit.

"Kjo proteinë ka rëndësi sepse ka rol në lidhjen e virusit pas qelizave. Për shembull, kur viruset kalojnë nga shpendër te njerëzit, kjo proteinë pëson një farë ndryshimi, kështu që në vend që të lidhet vetëm me qelizat e zogjve, ajo mund të lidhet tani edhe me qelizat njerëzore dhe t’i infektojë ato."

Kjo ende nuk ka ndodhur me llojin e tanishëm të gripit të shpendëve por zyrtarët janë të shqetësuar se ajo mund të përsëritet.

Pulat dhe rosat nuk janë të vetmit që mund ta transmetojnë virusin, thotë Taubenberger.

"Në botë ekziston një rezervuar jashtëzakonisht i madh virusesh dhe ne njohim vetëm majën e ajsbergut,” thotë shkencëtari.

Ka disa vjet që shkencëtarët po paralajmërojnë se një tjetër epidemi gripi do të shpërthejë në botë.

Nëse ata arrijnë të gjejnë se si ka ndryshuar virusi i vitit 1918, ata mund të mësojnë se si t’i çaktivizojnë viruset e tanishme dhe të parandalojnë një epidemi të re.

XS
SM
MD
LG