Lidhje

Gary Mathews: Shqiptarët dhe serbët nuk duhet të lejojnë t’u ikë shansi për integrim në BE


Një ish-zyrtar amerikan i UNMIK-ut në Kosovë thotë se tani që është rekomanduar fillimi i negociatave për statusin, vëmendja duhet të kthehet tek zgjidhja e problemeve të përditshme duke filluar që nga politika e deri tek ekonomia. Gary Mathews, ish - zv/shef i misionit të Kombeve të Bashkuara thotë se shqiptarët dhe serbët nuk duhet të lejojnë që t’u ikë nga duart shansi për integrim në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Çfarë duhet të realizohet përmes bisedimeve për statusin përfundimtar?

Gary Mathews: Është bërë një punë e konsiderueshme për standardet. Kështuqë nuk është befasi për shqiptarët e Kosovës, ose serbët dhe komunitetet dhe grupet e tjera etnike në Kosovë. Por sigurisht tani që është rekomanduar fillimi i negociatave për statusin përfundimtar, ata duhet ta kthejnë vëmendjen tek çështjet që mbeten, për të cilat kanë kohë që diskutojnë. Dhe nuk do të jetë ndonjë befasi për asnjë nga palët.

Nëse do të më duhej t’i përmblidhja këto çështje do të thoja se duhet përqendruar vëmendja tek qëndrueshmëria, përfshirë atë rajonale, zhvillimi ekonomik dhe përparimi politik. Dhe pastaj rëndësi të veçantë zë respekti për pakicat, sepse për të qenë të pavarur apo për ta vazhduar atë rrugë, çka do të ishte e vështirë për çdo shtet, veçanërisht shtetet e vogla, duhet të arrihet mirëkuptim për këto çështje të tjera.

Zëri i Amerikës: Qeveria serbe ka lënë të kuptohet se është herët për bisedimet për statusin përfundimtar, pasi janë të shqetësuar për plotësimin e standardeve, veçanërisht për sigurinë e pakicës serbe në Kosovë. A mendoni se mund të jetë herët për fillimin e bisedimeve për statusin?

Gary Mathews: Jo dhe mendoj se nëse do të bisedonit privatisht me zyrtarë të lartë serbë, ata do ta pranonin se ky moment ka ardhur prej kohësh. Dhe Kai Eide pa dyshim do t’u kishte dhënë peshën e duhur pikëpamjeve dhe parimeve që kanë shfaqur bashkëbiseduesit e tij serbë. Por mendoj se po të shohësh që nga koha kur misioni i OKB-së filloi misionin e vet para 6 vjetësh është bërë shumë punë dhe tani është një moment shumë i përshtatshëm.

Zëri i Amerikës: Pra nuk bëhet fjalë për faktin se qeveritë e Ballkanit janë lodhur tani me Ballkanin?

Gary Mathews: Jo, absolutisht jo, pasi ky ka qenë një proces shumë i gjerë dhe intensiv gjatë disa vjetëve, veçanërisht vitin e fundit, përfshirë një numër të madh diskutimesh dhe pune përgatitore me të gjitha palët, përfshirë ato në Serbi. Kështu unë mendoj se megjithëse ata mund të thonë se do të donin të prisnin edhe më shumë, ata e dinë që ka ardhur prej kohësh momenti i përshtatshëm.

Megjithatë mbetet problemi i pakicave, para së gjithash i pakicës serbe. Pastaj janë sigurisht çështjet që kanë të bëjnë me përkufizimin e integritetit territorial, të një Kosove të pavarur. Dhe kjo sjell çështjen e kombësive. Por duhet patur kujdes që të mos krijosh entitete jofunksionale në një shtet të vogël sovran.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët e Kosovës thonë se pavarësia është e vetmja zgjidhje, ndërsa serbët thonë se ajo duhet të mbetet pjesë e Serbisë dhe Malit të Zi. Cili mendoni se duhet të jetë statusi përfundimtar?

Gary Mathews: Unë nuk ta marr me mend se cili do të jetë rezultati. Po thuhet se Martti Ahtisaari, ish-presidenti i Finlandës do të drejtojë negociatat. Ai do të ishte një person i përshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë. Mendoj gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe anëtarët e tjerë të Grupit të Kontaktit do të kenë përfaqësues me peshë dhe vëmendja do të jetë e madhe. Mendoj se do të jetë një proces shumë i mirëorganizuar.

Zëri i Amerikës: Kur gjithçka të vendoset dhe Kombet e Bashkuara dhe NATO-ja të jenë tërhequr, a mendoni se shqiptarët dhe serbët do të mund të bashkëjetojnë?

Gary Mathews: Po ta shohësh gjendjen e tanishme me një papunësi 40-50 për qind, dukuri si mes shqiptarëve edhe serbëve, si edhe problemet e tjera ekonomike, duket qartë se e ardhmja e Kosovë, si edhe pjesëve të tjera të ish-Jugosllavisë është tek Bashkimi Evropian, i cili i ka kushtuar dhe po i kushton një vëmendje të madhe Ballkanit. Kështuqë mesa kuptoj unë populli i Kosovës e kupton që kjo është e ardhmja dhe nuk mund ta lënë këtë shans t’i ikë.

Prandaj mendoj se kjo do të jetë shtysa dhe jo edhe aq shumë se çfarë vendimi do të marrë Këshilli i Sigurimit, që sigurisht do t’i duhet të ndryshojë rezolutën 1244, apo të miratojë një të re. Por mendoj se roli i BE-së do të jetë përcaktues.

XS
SM
MD
LG