Lidhje

Shqipëri: Socialistët në amulli, pas rrëzimit të paketës së ndryshimeve dhe dorëheqjes së Gramoz Ruçit


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, deklaroi të shtunën në mbrëmje dorëheqjen nga posti i dytë më i rëndësishëm i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, në reagim të menjëhershëm ndaj rrëzimit me votim nga Kongresi të paketës së ndryshimeve statutore të propozuar nga Edi Rama, në qendër të të cilave qëndronte parimi “Një anëtar – një votë”.

Dorëheqja e zotit Ruçi merr një rëndësi të veçantë në këto çaste sepse ai kryente përkohësisht funksionet e drejtuesit kryesor të partisë pas dorëheqjes në gusht të ish-kryetarit Fatos Nano. Ai deklaroi në fjalën e tij të shkurtër pak çaste pas njoftimit të komisionit kongresual të votimit për ndryshimet statutore, se “me këtë votim delegatët nuk kishin nxjerrë asnjë fitues, por vetëm kishin zgjatur më tej agoninë e Partisë Socialiste”. Ai theksoi se kongresi i jashtëzakonshëm, si forumi më i lartë drejtues i partisë, aktualisht i mbledhur, duhet të zgjedhë në seancën e nesërme një kryetar dhe një sekretar të ri të përgjithshëm.

Delegatët e kongresit të jashtëzakonshëm të PS rrëzuan me 242 vota pro, 196 pro dhe 9 abstenime ndryshimet në statut të propozuara nga kandidati për kryetar i PS, Edi Rama. Këto ndryshime synuan përfshirjen në statut të parimit “një anëtar, një votë” për t’i hapur rrugën praktikës së zgjedhjes së drejtuesve të rinj të partisë drejtpërsëdrejti nga votimet e anëtarëve. Diferenca e ngushtë e votave pro dhe kundër këtyre amendamenteve, tregoi, sipas analistëve politikë, mëdyshjen e delegatëve të kongresit nëse duhet të mbështetnin qëndrimet e ish-kryetarit Fatos Nano, apo ato të zotit Edi Rama.

Delegatët e këtij kongresi janë po ato delegatë që disa vjet më parë në kongresin e mëparshëm rizgjodhën Fatos Nanon, për të disatën herë kryetar të PS. Për shumë komentatorë të shtypit, grupi i përkrahësve të kryebashkiakut Edi Rama nga pikëpanmja mediatike dukej më i fortë dhe për shumë ditë u krijua përshtypja se ai tashmë kishte siguruar një mbështetje të gjerë për të ndryshuar statutin e partisë si dhe për të kandiduar për postin e kryetarit. Por kundërshtarët e Edi Ramës brenda PS vërtet nuk kanë qenë aktivë me shpalosjen e pikëpamjeve të tyre në publik, dhe nga ana tjetër, e kishin lënë ta bënin zgjidhjen e tyre në kutinë e votimit.

Votimi i fshehtë vazhdoi për afro 3 orë, dhe procedura e votimit ishte transparente me praninë e shumë telekamerave dhe vëzhgimit të ethshëm të të gjithë delegatëve të pranishëm. Tani e tutje kongresi i Partisë Socialiste do të duhet ta zgjedhë kryetarin e ri sipas procedurave të njohura të mëparshme, pra nga votat e vetë delegatëve të kongresit.

Rrëzimi i të mbiquajturës “paketa Rama” mund të vërë në dyshim këmbënguljen e tij për të vazhduar rrugën e kandidimit për kryetar të PS, dhe nga ana tjetër mund t’i hapë rrugën e kandidimit për këtë post edhe emrave të tjerë në PS.

XS
SM
MD
LG