Lidhje

Uokër: Zgjidhja e statusit të Kosovës - kusht për qëndrueshmërinë në Ballkan


Ish-diplomati amerikan, William Walker, i cili drejtoi Misionin Verifikues të OSBE-së për Kosovën në vitin 1999, dhe bëri publike masakrën e Raçakut të kryer nga forcat serbe ndaj popullsisë civile në Kosovë, ndodhet aktualisht në Kosovë ku nesër do të marrë pjesë në përurimin e qytetit të ri studentor të Univeristetit Amerikan të Kosovës. Zoti Walker e cilëson këtë institucion si një vegël të vlefshme në përgatitjen e brezit të ri për një ekonomi moderne dhe për të marrë përsipër kompetenca gjithnjë e më të mëdha drejtimi. Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka aktualisht në shqyrtim raportin e të dërguarit të Sekretari të Përgjithshëm të OKB-së, Kai Aide mbi gjendjen në Kosovë. Në një intervistë me Zërin e Amerikës para udhëtimit të tij në Kosovë, ambasadori Walker shprehu besimin se raporti do të pasohet me një përshpejtim të përgatitjeve për procesin e negociatave mbi statusin përfundimtar:

Zëri i Amerikës: Përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotit Kai Aide sapo ka paraqitur raportin e tij. Çfarë vlerësimi, mendoni se i ka bërë ai situatës në Kosovë dhe cilat mendoni se janë rekomandimet që ka bërë ai për situatën?

Uilliam Uokër: Raporti i z. Kai Aides mendoj se do të jetë relativisht pozitiv, por ashtu si në të gjithë raportet ndërkombëtare do të janë argumenta kundërthënëse, pra duke ia lënë vetë lexuesit të nxjerrë një përfundim. Por unë e njoh mirë zotin Aide dhe mendoj se ai do të japë një vlerësim të saktë. Disa nga standartet që iu vunë Kosovës ishin jo-realiste dhe nuk plotësohet as nga shumë prej vendeve të Kombeve të Bashkuara. Përse atëherë duhet t’i kërkohet kësaj pjese të vogël në Evropë pa përvojë në këto çështje, përmbushja e këtyre standarte? Kam besim se zhvillimet aktuale do të pëshpejtojnë ritmet e fillimit të negocitave shumë më tepër se ç’mendohej një vit më parë. Gjashtë muaj apo një vit më parë komuniteti ndërkombëtar preferonte të priste për të parë nëse populli i Kosovës po përmbushte standartet që ishin parashtruar. Por gjatë muajve të fundit, politikanët e angazhuar në çështjen e Kosovës kanë arritur në përfundimin se duhet vepruar pa humbur kohë. Fuqitë perëndimore nuk ishin angazhuar seriozisht në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, por ky qëndrim po ndryshon dhe këtë e shohim edhe këtu në Uashington. Mendoj se nëse nuk zgjidhet statusi i Kosovës, vetë rajoni i Ballkanit do të jetë në një gjendje të paqëndrueshme siç po shohim aktualisht.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit tuaj në Kosovë, a keni planifikuar takime me autoritetet e Kosovës dhe me grupet e punës që po përgatiten për diskutimet e statusit? Cilat do të ishin këshillat që do të kishin ju për këto grupe pune dhe a mendoni se kanë avancuar sa duhet përgatitjet për negociatat e statusit?

Uilliam Uokër: Shpresoj se do të kem kontakte të shumta, dhe kjo është një ndër arsyet që po shkoj në Kosovë. Do të përpiqem të takohem me shefin e UNMIK-ut, zotin Peterson. Mendoj se është pa vend të thuhet se shqiptarët nuk janë të përgatitur për bisedimet. Më parë unë fajësoja klasën politike që nuk ishte angazhuar më shumë për të formuar një strategji të përbashkët për bisedimet dhe për ta pasur të qartë se çfarë të kërkojë. Të gjithë shqiptarët në Kosovë kanë një objektiv të qartë: ata kërkojnë pavarësinë. Por duhet ditur se çfarë rruge do të merret për të arritur këtë. Do të vihem në kontakt me grupet e punës për të diskutuar mbi përpjekjet që po bëjnë në këtë drejtim.

Zëri i Amerikës: Cili është qëndrimi i administratës së Shteteve të Bashkuara ndaj çështjes së Kosovës dhe sa e angazhuar mendoni se është kjo administratë në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës?

Uilliam Uokër: Po filloj të dëgjoj zëra të shumtë në Uashington se Amerika duhet të fillojë ta shqyrtojë këtë çështje, të diskutojë qëndrimin e saj dhe rrugën për arritjen e tij. Kohët e fundit Uashingtoni është treguar i përmbajtur në pritje të qëndrimit që do të mbanin fuqitë evropiane. Unë do të sugjeroja që Uashingtoni të dilte haptazi dhe pa vonesë për t’i bërë të njohur botës qëndrimin amerikan. Një qëndrim i tillë së paku do të ndizte më shumë diskutime për këtë çështje, gjë që nuk po ndodh aktualisht.

Zëri i Amerikës: Cila do të ishte formula juaj për zgjidhjen e statusit të Kosovës, pasi kemi dëgjuar terma të ndryshme dhe shumë prej tyre duken mjaft të mjegullta. A do të kishit ju një rekomandim specifik për zgjidhjen e këtij statusi?

Uilliam Uokër: Formula e vetme për zgjidhje që kam unë është pavarësia, pavarësi e plotë, e pastër dhe pa kushte. Disa nga termat që përdoren si formulë për zgjidhjen e statusit të Kosovës janë shumë të mjegullta. Unë besoj se mbarë populli i Kosovës, meriton shansin të tregojë se çfarë mund të bëjë si një pjesë e pavarur, por e integruar e Ballkanit. Një shembull të tillë ofron Bashkimi Sovjeti, i cili u shpërbë, por shumë nga republikat ish-sovjetike, të cilat tani janë të pavarura vazhdojnë të ruajnë lidhjet me njëra-tjetrën. Diçka e ngjashme mund të ndodhë edhe në Ballkan.

Zëri i Amerikës: Gjatë qëndrimit në Kosovë, ju do të merrni pjesë në inaugurimin e kampusit të ri të Universitetit Amerkan të Kosovës. Duke pasur parasysh nivelin e lartë të papunësisë, veçanërisht në radhët e të rinjve, sa i vlefshëm mendoni se do të jetë ky institucion për hapjen e perspektivave të reja për brezin e ri në Kosovë?

Uilliam Uokër: Kuptohet që objektivi ynë afatgjatë është të përgatisim brezin e ri të Kosovës të futen në një ekonomi moderne, e cila aktualisht i mungon Kosovës. Partneriteti me Institutin e Teknologjisë në Rochester është shumë i vlefshëm për t’u ofruar studentëve përvojë pune, gjatë periudhës së studimeve. Për shembull, gjatë verës së kaluar 100 për qind e studentëve që shprehën dëshirë, gjetën punë në banka, në firma sigurimesh, në qeveri. Pra, megjithëse papunësia është shumë e lartë në radhët e brezit të ri, ka vende punësimi për të rinj të arsimuar që dinë anglishten dhe kanë aftësi në ekonomi dhe biznes. Statusi i papërcaktuar i Kosovës përbën problem në tërheqjen e investimeve. Sapo të përcaktohet statusi në Kosovë do të shkojnë shumë investitorë dhe të hapen perspektiva të reja.

Zëri i Amerikës: UNMIK-ut i janë bërë vazhdimisht thirje që të kalojë më shumë kompetenca në duart e autoriteteve të Kosovës. A ka Kosova një kuadër të mjaftueshëm specialistësh për të marrë përsipër këto kompetenca?

Uilliam Uokër: Unë vetë kam një besim të madh tek populli i Kosovës, edhe nëse nuk i janë dhënë kompetencat e nevojshme aktualisht, ai t’i fitojë ato shumë shpejt sapo t’i jepet mundësia të punojë në këta sektorë. Të mos harrojmë se për më shumë se një dekadë një brez i tërë në Kosovë nuk pati mundësi të shkonte në universitet të fitonte aftësitë e nevojshme, prandaj arritëm në përfundimin se Universiteti Amerikan është shumë i nevojshëm për Kosovën në këto kushte. Në Kosovë vazhdon transferimi i kompetencave dhe mendoj se kosovarët janë në gjendje të marrin përsipër këto përgjegjësi dhe për më tepër t’i kryejnë ato më mirë se administrata ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG