Lidhje

Eliot Engel: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejt demokracisë


Në një intervistë me Zërin e Amerikës për procesin e ardhshëm të bisedimeve për statusin përfundimtar, ligjvënësi amerikan Eliot Engel, diskutoi edhe për ndërrimin e udhëheqjes në Shqipëri dhe të një rezolute që ai dhe ligjvënës të tjerë do t'i paraqesin Kongresit së shpejti, në të cilën populli shqiptar vlerësohet për strehimin dhe mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Zoti Engel, theksoi edhe një herë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë Shqipërinë në rrugën e saj drejt demokracisë. Të ndjekim intervisën e koleges sonë, Isabela Çoçoli, me ligjvënësin amerikan, Eliot Engel.

Zëri i Amerikës: Kongresmen Engel, kohët e fundit ju ishit në Shqipëri për të ndjekur zgjedhjet parlamentare që sollën në pushtet një qeveri të re të kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha, ish Presidenti i vendit para tetë vjetësh. Si e shikoni ju këtë mandat të ri të Dr. Berishës?

Eliot Engel: Ky është me të vërtetë një kthim mahnitës. Shumë rrallë, në çdo demokraci, një udhëheqës humbet pushtetin dhe pas disa vjetësh fiton përsëri zgjedhjet dhe kthehet në pushtet. Ky është një fat i madh për Dr. Berishën dhe njëkohësisht një fakt që tregon se ai punoi me këbëngulje për të rifituar besimin e votuesve. Unë e takova Dr. Berishën kohët e fundit në New York, kur ai erdhi për të marrë pjesë në takimin e Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, në një mbledhje në distriktin tim me komunitetin shqiptaro-amerikan. Unë e kam njohur Dr. Berishën prej vitesh dhe e konsideroj një mik shumë të mirë. Jam shumë i kënaqur që atij i jepet përsëri rasti të udhëheqë Shqipërinë në rrugën drejt demokracisë sepse ai është një mik i mirë i Shteteve të Bashkuara. Nga ana e tij edhe Dr. Berisha e vlerëson lart këtë miqësi.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Dr. Berishës ka përballë probleme të tilla të vështira si korrupsioni, krimi i organizuar, papunësia, çëshja e pronave. Sa serioze janë këto probleme për udhëheqjen e tij?

Eliot Engel: Sfida që ai ka përballë është shumë serioze. Së pari, ai duhet të tregojë se është i vendosur për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ka patur akuza nga më të ndryshmet se korrupsioni dhe krimi i organizuar ka qënë i panishëm edhe në nivelet më të larta qeveritare gjatë disa viteve të fundit, megjithëse zyrtarët shqiptarë i hidhnin poshtë këto akuza. Dr. Berisha duhet të veprojë shpejt për të ç’rrënjosur nocionin se korrupsioni është një sëmundje e pashërueshme e qeverisë shqiptare dhe të ndëshkojë rëndë korrupsionin dhe krimin e organizuar, për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt për të jetuar dhe për të investuar. Për mendimin tim, Shqipëria ka një potencial të madh për investime dhe kam shumë besim se Dr. Berisha do të punojë me këmbëngulje në këtë drejtim. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria do të vazhdojnë të jenë partnerë. Unë do të jap ndihmesën time këtu në Uashington, do të bisedoj me zyrtarët e administratës së Presidentit Bush dhe ne Kongres, për t’i inkurajuar ta të punojnë sa më ngushtë me Shqipërinë dhe t’i japin asaj së më shumë ndihmë që të jetë e mundur. Siç e kam thënë gjithmonë, asnjë popull në botë nuk është aq pro-ameriakan sa janë shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Ju keni përgatitur një rezolutë në të cilën vlerësohen përpjekjet e popullit shqiptar për strehimin dhe mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Çfarë ju nxiti ta nxirrni në pah këtë fakt historik tani?

Eliot Engel: Ky është një fakt, të cilin unë e kam ditur prej kohësh. Është me shumë rëndësi që ky fakt të bëhet i ditur botërisht, se hebrejtë që jetonin në Shqipëri, megjithëse në një numër të vogël, ishin të sigurt dhe të mbrojtur gjatë periudhës së Holokaustit. Është me shumë rëndësi që populli amerikan dhe Kongresi amerikan ta dinë se shqiptarët gjithmonë kanë qënë një popull me vullnet të mirë, një popull kurajoz gjatë ditëve më të errëta të Luftës së Dytë Botërore. Në qoftë se edhe popuj të tjerë do të kishin treguar të njejtën kurajo si shqiptarët gjatë luftës, më shumë hebrej do t’i kishin shpëtuar Holokaustit.

XS
SM
MD
LG