Lidhje

SHBA: Tre policë në Nju Orleans akuzohen për dhunë fizike


Tre policë në Nju Orleans janë akuzuar se kanë rrahur një burrë 64-vjeçar dhe se kanë sulmuar një gazetar të një rrjeti televiziv i cili po xhironte me ekipin e tij incidentin. Në pamjet e regjistruara shihen dy oficerë të veshur me uniformë dhe dy persona të tjerë duke goditur të shtunën disa herë radhazi Robert Davis në fytyrë dhe trup, ndërkohë që policët po përpiqeshin t’i vinin prangat nën akuzat për dehje në publik.

Operatori i agjencisë së lajmeve Associated Press më pas xhiroi pamje të një polici të tretë i cili reagon fizikisht ndaj gazetarit që po i tregonte kredencialet e shtypit. Në pamje të tjera të transmetuara nga rrjeti CNN, personi ndaj të cilit u ushtrua dhuna, Robert Davis, shihet i shtrirë në tokë me duart të lidhur me pranga, ndërkohë që është mbuluar nga gjaku dhe ka shenja të dhunës në fytyrë.

Tre policët janë pezulluar nga detyra dhe janë akuzuar për dhunë fizike. Departamenti i Policisë në Nju Orleans ka qenë në qendër të vëmendjes për përgjigjen e tij pas uraganit Katrina. Shumë policë janë akuzuar se kanë braktisur postet e tyre dhe janë angazhuar edhe vetë në plaçkitjet pas uraganit.

XS
SM
MD
LG