Lidhje

Gjermani: Marrëveshje e re politike - Merkel në postin e Kancelares së vendit


Angela Merkel pritet të bëhet gruaja e parë që merr postin e kancelarit të Gjermanisë, pas një marrëveshjeje midis partisë së saj Kristian-Demokrate dhe rivalëve Social-Demokratë. Dy partitë më të mëdha të Gjermanisë ranë dakort për një përfaqësim të barabartë në qeverinë e re, ndonëse ende nuk kanë rënë dakort se cilat do të jenë politikat e qeverisë së re.

Marrëveshja për të formuar të ashtuquajturin koalicion të madh, u arrit tri javë pas zgjedhjeve të përgjithshme, që nuk nxorrën asnjë fitues të qartë. Dy partitë nuk kishin asnjë mundësi tjetër për të formuar qeverinë, veç bashkëpunimit me njera tjetrën. Megjithëse Kristian-Demokratët e zonjës Merkel fituan më shumë vende se sa Social Demokratët e Kancelarit Shrëder, fillimisht kancelari nuk pranoi të largohej nga pushteti, duke thënë se rivalja e tij, doli më keq se sa pritej në zgjedhje dhe prandaj nuk duhej të vinte në postin kryesor politik të Gjermanisë. Por tani duket se zonjsa Merkel po e realizon pretendimin për të qënë kancelare, megjithëse për fillimin nga detyra ajo ka nevojë për dy-të-tretat e votave të parlamentit.

Në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje me Social Demokratët, ajo duhet t’u japë rivalëve 8 vende në qeveri, përfshirë postet e rëndësishme të ministrave të jashtëm dhe të financave. Kristian-Demokratët do të kenë 6 ministri si dhe postin e kancelarit dhe atë të kryetarit të Bundestagut, ose Dhomës së Ulët të parlamentit. Zonja Merkel, u tha gazetarëve në Berlin se gjatë 4 javëve të ardhshme, dy partitë do të përpiqen të bien dakort për një platformë të përbashkët politike. “Ne do të vazhdojmë bisedimet me social-demokratët për koalicionin e madh. Baza për këtë janë bisedimet dhe marrëveshja e tanishme. Kristian-demokratët do të kenë postin e kancelarit dhe të dyja partitë do të kenë një numër të barabartë ministrash,” tha zonja Merkel.

Si Angela Merkel edhe kryetari i Partisë Social-Demokrate, Franz Muentefering theksuan se qëllimi kryesor i qeverisë së re do të jetë ulja e papunësisë, që në Gjermani ka arritur 12 përqind. Të dyja partitë janë dakort për reforma ekonomike, por kanë dallime se sa të thella duhet të jenë reformat.

Analisti Thomas Kielinger, i cili shkruan për gazetën Die Welt, thotë se të dyja partitë kanë përpara negociata të vështira. “Marrëveshja është vetëm zgjidhja e çështjeve personale, se çfarë posti do të merte secila parti. Për këtë nuk ishte shumë e vështirë. Koalicioni do të vihet tani në provë nga programi që do të jenë në gjendje të miratojë,” tha analisti.

Zoti Kielinger dhe analistë të tjerë kanë paralajmëruar prej kohësh, se një qeveri koalicioni e dy partive më të mëdha gjerman,e do të ishte kaq i përçarë, sa që nuk do të ishte në gjendje të merrte vendime të vështira për të rigjallëruar ekonominë e vendit. Negociatat për politikat e qeverisë së re pritet të zgjasin deri në mes të nëntorit.

XS
SM
MD
LG