Lidhje

Anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste dhanë dorëheqjen


Në Shqipëri anëtarët e kryesisë së Partisë Socialiste dhanë sot në bllok dorëheqjen e tyre nga ky forum, duke i hapur rrugë rinovimit të plotë të tij.

Vendimi i sotëm i anëtarëve të kryesisë duket se kompenson në një farë mënyre rrëzimin në Kongres të paketës së ndryshimeve statutore e cila i hapte rrugë ristrukturimit të plotë të partisë socialiste.

Zgjedhja e kryesisë së re do të bëhet nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues, i cili do të votojë gjithashtu edhe për sekretarët e rinj, njerëzit te të cilët kryetari i porsazgjedhur Edi Rama do të mbështetet për realizimin e ndryshimeve që ai synon të zbatojë.

Pas fitores së kreut të partisë, duket se kjo është fitorja e parë e rëndësishme e zotit Rama plotësimi i së cilës do të varet shumë dhe nga përbërja e re e kryesisë dhe përfshirja apo jo në të edhe të përfaqësuesve të krahut kundërshta me kryetarin e ri të partisë.

*****

Kryeministri Sali Berisha urdhëroi sot ngritjen e një “komiteti të posaçëm për shqyrtimin dhe analizimin e aspekteve ekonomike dhe mjedisore të projektit të parkut energjitik të Vlorës”.

Parku energjitik i Vlorës është ngritur kohë më parë me vendim të qeverisë së zotit Nano dhe Këshillit Kombëtar të Regullim Territorit. Në të është parashikuar ngritja e një Termocentrali, për të cilin ka patur debate të shumta.

Në takimin e parë me Bankën Botërore i porsamandatuar në postin e kryeministrit Zoti Berisha kërkoi rishikimin e projektit dhe mundësinë e zhvendosjes së tij. Por përveç termocentralit, një tjetër problem që ky komitet duhet të trajtojë është dhe ajo e depozitave të naftës nga kompania e njohur italiane Petrolifera italo-rumena. Në ndryshim nga rasti i termocentralit, çështja e depozitave është më e komplikuar pasi kompania italiane e ka marrë tashmë koncesionin me vendim të parlamentit dhe që prej vitit të shkuar ka mbetur e bllokuar.

Dje kryeministri Berisha i premtoi përfaqësuesit të kompanisë italiane se ky problem do te rajtohet me kujdes duke shprehur besimin në një zgjidhje të kënaqshme për të gjitha palët.

XS
SM
MD
LG