Lidhje

Zyrtarët e shëndetësisë paralajmërojnë për rrezikun e përhapjes së gripit të shpendëve tek njerëzit


Autoritetet turke vazhduan edhe sot asgjësimin e mijëra gjelave të detit dhe pulave, në kuadër të masave për të parandaluar një epidemi të gripit të shpendëve.

Zyrtarët vendorë në provincën veriperëndimore të Balikesirit thanë se afro 6 mijë shpendë janë asgjësuar që pas njoftimit të shtunën për shfaqjen e virusit, i cili mendohet se shkaktohet nga zogjtë shtegatarë.

Zyrtarët turqë thanë se vendimi i Bashkimit Evropian për të ndaluar importimin e produkteve turke të pularisë nuk do të ndikonte negativisht në ekonominë e këtij vendi, pasi sasia e mallrave të eksportuar është shumë e vogël.

Ekspertët kanë thënë se analizat e para të shpendëve të ngordhur kanë rezultuar pozitivë për virusin H-5, por ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për variantin H5-N1. Ky variant ka shkaktuar vdekjen e mbi 60 personave në 3 vitet e fundit, pjesa dërrmuese në Azinë juglindore, dhe shkencëtarët shqetësohen se virusi mund të shndërrohet në një variant që mund të transmetohet nga një njeri në tjetrin.

Ndërkohë, zyrtarët ndërkombëtarë të shëndetësisë, të cilët po vizitojnë vendet e Azisë juglindore kanë bërë paralajmërime të hapura se virusi i gripit të shpendëve mund të ndryshojë dhe të infektojë një numër të madh njerëzish. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Jong Woo Lee parashikon se do të ketë një epidemi masive të gripit edhe tek njerëzit, sapo të shfaqet një variant i virusit i cili përcillet nga një njeri tek tjetri. Zoti Lee i bëri këto komente në Tailandë, dhe pritet që së shpejti të vizitojë edhe Kamboxhian, Vietnamin dhe Laosin për të bërë një vlerësim të përgjithshëm të situatës.

Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Michael Levitt dhe drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Jong Woo Lee ndodhen në Tailandë, ndalesa e parë e turneut të tyre në katër vende për të nxitur bashkërendimin e përpjekjeve për të ndaluar përhapjen e gripit të shpendëve.

Varianti agresiv i këtij gripi, i njohur nga shkenca si H5N1 ka prekur miliona shpendë në Azi që në vitin 2003. Të paktën 62 vetë në rajon kanë vdekur nga virusi dhe dhjetëra miliona shpendë janë asgjësuar në përpjekje për të ndalur përhapjen e virusit në popullata të mëdha zogjsh.

Personat që vdiqën në Azi kishin rënë në kontakt me shpendë të infektuar. Deri tani nuk ka pasur të dhëna se virusi mund të transmetohet nga një person i infektuar tek një person tjetër. Dr. Lee thotë se miliona vetë mund të vdesin nëse virusi shndërrohet në një formë që përhapet lehtë tek njerëzit:

"Pyetja kryesore është: a do të ketë një epidemi masive të gripit tek njerëzit. Unë besoj dhe mund t’ju them në emër të Organizatës Botërore të Shëndetësisë se do të ketë një epidemi të tillë. Një kusht që e mundëson këtë është një virus që transmetohet lehtë nga një njeri në tjetrin."- thotë Dr. Lee.

Sekretari Leavitt thotë se shkencëtarët kanë prodhuar një vaksinë për gripin e shpendëve, por doza e nevojshme për të luftuar sëmundjen është 6 deri 12 herë më e madhe se vaksinat që përdoren aktualisht kundër gripit të zakonshëm. Zoti Leavitt u bëri thirje vendeve të tjera të ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme për të prodhuar një vaksinë të tillë, pasi rreziku i një epidemie gripi është shumë i madh:

"Nuk kemi objekte të mjaftueshme për të prodhuar vaksinën, si rrjedhojë e kohës së gjatë që kërkon prodhimi i vaksinave për çdo person në Shtetet e Bashkuara, aq më tepër në gjithë botën."- tha zoti Levit.

Ndërkaq, gripi i shpendëve vazhdon të përhapet. Gjatë ditëve të fundit, virusi është shfaqur në dy vende evropiane. Zyrtarët kanë vendosur karantinën në një fshat rumun, pasi tri rosa ngordhën nga virusi. Në Turqi u vendosën masa karantine pasi 1 mijë e 800 gjela deti ngordhën javën e kaluar nga sëmundja. Për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, zyrtarët turq kanë theksuar se do të vazhdojnë për një periudhë 3 javore asgjësimin e shpendëve në zonat e infektuara.

Dje Bashkimi Evropian njoftoi se ka ndaluar importimin e zogjve të gjallë dhe puplave nga Turqia. Rezultatet e analizave të shpendëve të ngordhur në Rumani dhe Turqi do të merren nesër dhe zyrtarët do të jenë në gjendje të konfirmojnë nëse zogjtë ishin infektuar nga virusi H5N1 apo nga një formë tjetër e gripit të shpendëve.// lk

XS
SM
MD
LG