Lidhje

Rifillon shpërndarja e ndihmave në rajonet e goditura nga tërmeti


Operacionet e ndihmave me helikopterë në zonat e goditura nga tërmeti në veri të Islamabadit rifilluan, pasi u pezulluan përkohësisht nga shirat e rrëmbyera. Rreth 50 mijë trupa pakistaneze janë dërguar në pjesën pakistaneze të Kashmirit për të ndihmuar të pastrehët.

Helikopterët po dërgojnë ndihma në qytete dhe fshatra ku është e pamundur të arrihet me transport tokësor, për shkak të rrëshqitjes së dheut shkaktuar nga tërmeti i së shtunës. Më parë, autokolonat ushtarake dërguan ndihma në disa qytete të shkatërruara, përfshirë Muzaffarabadin në Kashmirin pakistanez, ku qindra mijëra të mbijetuar kanë mbetur jashtë për dy net. Kryeministri Shaukat Aziz u tha gazetarëve se numri i të vdekurve ka arritur në 23 mijë, ndërsa 51 mijë persona janë plagosur.

Zoti Aziz u tha gazetarëve se mbi 2, 5 milionë persona kanë mbetur të pastrehë. Ai tha gjithashtu se deri tani ndihmat kapin shifrën 300 milionë dollarë. Në Kashmirin indian, zyrtarët thonë se numri i atyre që kanë humbur jetën është më shumë se 1 mijë e 300 dhe mund të rritet edhe më shumë.

Ushtria indiane po kryen operacione shpëtimi dhe po shpërndan ndihma në fshatra të largëta. Kryeministri indian Manmohan Singh vizitoi zonat e goditura nga tërmeti dhe i siguroi të mbijetuarit se qeveria do t’i ndihmonte të rimëkëmbeshin. Zoti Singh premtoi gjithashtu mbi 110 milionë dollarë ndihma urgjente për rajonin.// lk

XS
SM
MD
LG