Lidhje

Intervistë me Ministrin e Arsimit të Maqedonisë, Aziz Pollozhani


Zëri i Amerikës: Fillimisht, cili është qëllimi i vizitës suaj në Shtetet e Bashkuara?

Aziz Pollozhani: Kemi ardhur me ftesë të Bankës Botërore, në kuadrin e një seminari dy-javor, që ka të bëjë me ndërtimin e kapaciteteve dhe hulumtimin e mundësive për ndërtimin e strategjive për zhvillimin e arsimit, që ka të bëjë kryesisht me vendet që janë marrës kredish të Bankës Botërore. Në seminar marrin pjesë ministra dhe zyrtarë të lartë të ministrive të arsimit, në funksion të përmirësimit të procedurave për të arritur në një strategji sa më efektive, që ajo të jetë në shërbim të reformave të arsimit në vendet përkatëse.

Zëri i Amerikës: Në Maqedoni është zhvilluar një debat shumëvjeçar lidhur me Universitetin e Tetovës. Edhe tani që ai është ligjëruar, përsëri kohët e fundit është folur për një sërë problemesh, si mosnjohja e disa fakulteteve të këtij universiteti nga qeveria, studentët e të cilëve janë transferuar në Shkup, apo në Prishtinë. Çfarë mendohet të bëhet për këtë çështje?

Aziz Pollozhani: Një e kaluar e tillë 10-vjeçare e një universiteti, duke punuar mbi baza, të cilat siç dihet, janë të njohura, gjithësesi që ka prodhuar një situatë që nuk ka mundur të tejkalohet e të zgjidhet menjëherë. Ne jemi duke punuar, që pas legalizimit të këtij institutcioni, në përputhje me standartet që duhet të ketë çdo universitet, të zgjidhen problemet që i gjetëm dhe ato ekzistueset, si dhe sfidat që do të paraqiten në procesin e krijimit të nevojave të tjera për arsimin universitar të mëtejshsëm. Në atë kontekst, për të gjitha programet studimore, drejtime për të cilat ka patur bazë minimale për ekzistencën dhe funksionimin e tyre, ato janë pranuar. Një pjesë e tyre, jo në mënyrë të plotë, i kanë plotësuar këto standarte dhe kritere, prandaj këto ditë, faktikisht po vendosim për një pjesë të tyre, që me një lloj mirëkuptimi të realizohet edhe akreditimi i këtyre programeve studimore. Kurse për ato që nuk janë, nuk kemi të bëjmë me një situatë në të cilën shteti nuk pranon, apo lejon programe të tilla studimore; por më shumë kemi të bëjmë me faktin që Univeristeti nuk mund t’i përmbushë disa norma dhe kritere që shteti i thotë t’i pranojë; ato duhen patur parasysh, duke marrë për bazë sensitivitetin e vetë programit studimor, peshën e këtyre normave dhe gjithësesi, implementimin në ligje, jo vetëm për arsimin e lartë, për shkak se ato hyjnë në grupin e të ashtuquajturave profesione rregullatore, që kanë kritere të posaçme edhe gjatë krijimit të insitucioneve arsimore për ato profesione.

Zëri i Amerikës: Në Tetovë ekzistojnë paralelisht dy universitete, ai i Tetovës dhe i Evropës Juglindore dhe preferencat e studentëve anojnë siç thuhet, nga ky i fundit. Çfarë masash ka marrë qeveria për financime të mëtejshme për Universitetin e Tetovës, në mënyrë që ai të t’u përshtatet kërkesave të kohës?

Aziz Pollozhani: Mendoj që mbas legalizimit, ku u konsoliduan edhe financiarisht nevojat për stafin akademik dhe për mbështetjen e disa aktiviteteve të tjera plotësuese akademike, por edhe informatike, shtypin univeristar e të tjera, gjithësesi ne duhet të qasemi në këtë fazë të dytë; mbas konsolidimit pak a shumë të programeve studimore të nevojshme, të aspekteve infrastrukturale, pra të objekteve, të ambjentit, të bibliotekave, ose standartit të studentëve, konvikteve e të tjera, në këtë aspekt, me qëllim që ambjentin në Universitetin e Tetovës ta bëjmë pak a shumë barabar me kushtet që u ofrohen edhe studentëve të arsimit të lartë, duke synuar optimalen në këtë aspekt dhe gjithësesi, duke mos pretenduar që të jenë ideale, siç nuk janë edhe në institucione të tjera. Pra, ne kemi oblikim si shtet që të plotësojmë infrastrukturën, që të plotësojmë kushtet për studime në këtë institucion, dhe bashkë me universitetin jemi duke bërë planet përkatëse për arritjen e një mirëkuptimi për një gjë të tillë dhe besoj që brenda këtij viti do të bëjmë hapat e parë në drejtim të realizimit të këtij qëllimi. Gjithësesi, konkurenca, ose ekzistenca e dy universitetetve nga një aspket është pozitiv, sepse siç dihet, konkurenca shtyn faktorët për të qenë më të sukeseshëm, më të besueshëm në këtë drejtim, por në ambjentin tonë, jo gjithmonë për këtë konkurencë jemi në gjendje të realizojmë principet dhe bazat e një ekonomie të shëndoshë tregu edhe në sferën e dijes dhe arsimit. Prandaj, vështirësi të këtij karakteri ka, konkurencat në këtë situatë jo gjithmonë janë të mirëseardhura, sepse nuk janë pjekur kushtet për një konkurencë, do të thoja lojale dhe të bazuar mbi standartet përkatëse, por këto janë probleme të pritura dhe ne i kemi pritur kur merret parasysh, procesi në të cilin ka kaluar arsimi shqip dhe sidomos Universiteti i Tetovës; mendojmë, që me një mirëkuptim të të gjithë faktorëve, këtu kam parasysh edhe të Univeristeteve, në të ardhmen do të gjinden forma për evitimin eventual të konkurrencës së panevojshme dhe vënies së arsimit në shërbim të konsumatorëve, pra kryesisht të studentëve dhe të qytetarëve në përgjithësi.

Zëri i Amerikës: Zoti Pollozhani, në Maqedoni është folur shumë për çështjen e decentralizimit. Në ç’aspekt e prek decentralizmi arsimin?

Aziz Pollozhani: Një nga shtyllat kryesore të Merrëveshjes së Ohrit është gjithësesi decentralizimi për pushtetin lokal, ku pjesa kryesore e tij ka të bëjë me arsimin; këtu kemi realizuar një decentralizim substancial nëpërmjet të ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm, në përputhje me planin aksional të qeverisë; në faza të caktuara i përcillet si përgjegjësi për organizimin vetë komunave dhe bordeve të shkollave, pra këshillave të shkollave; në këtë kontekst, ne jemi në fazën fillestare të implementimit të decentralizimit, ku gjithësesi, faktikisht, në këtë fazë janë paraparë disa hapa. Ne po i realizojmë ato, pra financimi për mirëmbajtjen e shkollave në vitin 2007 do të bëhet bllok financimi, ose mënyra e financimit edhe për rrogat e profesorëve, si një fazë e dytë. Ky proces ne e dimë që nuk është i lehtë, krahas kësaj jemi munduar të bëjmë një aspekt të depolitizimit në arsim, duke ndërhyrë në mënyrën e zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, gjë që krijon një risi, por po aq edhe një mundësi për reaksion, ose për komente të ndryshme. Ne mendojmë që ky proces është mjaft i përpunuar mirë. Gjatë takimeve në Bankën Botërore, e ndryshuam edhe mendimin për disa çështje, që të kërkojmë nga Banka mundësinë për disa financime për disa çështje që edhe ne i ndjejmë si më të dobëta gjatë realizimit të këtij procesi; për këto çështje mendoj që do të dalim në fund të suksesshëm në implementimin e këtij procesi dhe me atë Maqedonia, do të mund të thuhet që është një vend ku decentralizimi është i menduar mirë dhe mund të shërbejë si një vend shembull. Shpresoj që me specifikat e veta ky proces të shkojë drejt decentralizimit dhe më gjerë.

XS
SM
MD
LG