Lidhje

Irak, periudhë pushimi në prag të referendumit


Në Irak filloi sot një periudhë pushimi prej katër ditësh në prag të referendumit të së shtunë për kushtetutën e re. Pranë qendrave të votimit kanë filluar të duken postblloqe të reja dhe barriera sigurimi. Sipas zyrtarëve, sonte ka filluar ndalim-qarkullimi nga ora 6 e mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit. Nesër, Iraku do të mbyllë kufijtë dhe makinat do të ndalohen të qarkullojnë në rrugët e vendit. Në dhunën që lidhet me zgjedhjet, 2 policë u vranë në qytetin verior të Kirkukut dhe nga bombat në anë të rrugës në Mosul dhe Tikrit u vranë 2 civilë dhe një ushtar amerikan.

Rreth 15 milion e 500 mijë irakianë kanë të drejtën e votes në këtë referendum. Sot, persona të arrestuar, që nuk janë gjetur fajtor për ndonjë krim, si dhe pacientët nëpër spitale u autorizuan të fillojnë të hedhin votat e tyre.

Mbrëmë, parlamenti miratoi një marrëveshje e cila synon të sigurojë mbështetjen e sunive arabë, të cilët përgjithësisht janë shprehur kundër kushtetutës së re pasi shqetësohen se disa dispozita të saj mund ta përçajnë vendin. Por shumë grupe suni thonë se ata përsëri do të votojnë kundër.// lk

XS
SM
MD
LG