Lidhje

Ekspertët parashikojnë negociata të gjata dhe të vështira për statusin e Kosovës


Një grup ekspertësh të institutit konservator American Enterprise, në Uashington, parashikuan negociata të gjata dhe të vështira për të vendosur statusin përfundimtar të Kosovës, e cila banohet kryesisht nga shqiptarët.

Ekspertët thanë se nuk do të jetë e lehtë të gjendet një zgjidhje e pranueshmë nga të dy palët, qeveria serbe në Beograd dhe shqiptarët në Prishtinë. Shqiptarët kërkojnë pavarësi të plotë, e cila kundërshtohet me forcë nga Beogradi.

Për 6 vjet Kosova është administruar nga Kombet e Bashkuara, ndërkohë që forcat paqeruajtëse të NATO-s mbajnë sigurinë. Në përgjigje të shtypjes së shumicës shqiptare nga ana e qeverisë serbe, më 1999, NATO-ja ndërmorri një fushatë ajrore për të detyruar forcat serbe të tërhiqeshin nga Kosova. Kombet e Bashkuara po shkojnë tani drejt fillimit të negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës, proces që pritet të zgjatë rreth 6 muaj.

Helga Flores Treho, ish-funksionare ndërkombëtare në Beograd, thotë se të gjitha palët duhet të bëjnë kompromis për të arritur një zgjidhje.

“Nuk kërkohet vetëm nga Serbia që të bëjë diçka, por edhe nga Kosova dhe Bashkimi Evropian. Procesi nuk do të funksionojë pa u krijuar besimi në procesin e pranimit në Bashkimin Evropian”.

Negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës do të drejtohen nga ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisari.

Eksperti Xhon Norris nga organizata jo-qeveritare, International Crisis Group, thotë se status quo-ja nuk mund të vazhdojë pafundësisht në Kosovë.

“Nuk është as krahinë dhe as shtet, është një farë parku lodrash politike dhe burokratik, kjo formulë nuk funksionon. Ky është një vend ku 70% e pronës është në dorë të shtetit”.

Ekspertët ishin të një mendimi se negociatat mund të çojnë në arritjen e një pavarësie të kushtëzuar me praninë e forcave evropiane dhe amerikane për një periudhë të pacaktuar. Obrad Kesiç, këshilltar me lidhje të ngushta në Serbi, vuri në pikëpyetje konceptin e pavarësisë së kushtëzuar.

“Është e pamundur të ketë pavarësi të kushtëzuar. Ky koncept është përdorur si parullë, por praktikisht kur të jepet pavarësia, ajo është pavarësi përfundimtare”.

Ekspertët sugjeruan se qysh në fillim të negociatave duhet bërë e qartë që Kosova të mos kthehet më nën qeverisjen e drejtpërdrejtë të Serbisë, që ajo të mos bashkohet me Shqipërinë dhe të mos ndahet sipas kufijve etnike apo gjeografikë.

XS
SM
MD
LG