Lidhje

Negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës - një proces i gjatë dhe i vështirë


Negociatat për statusin e Kosovës pritet të jenë të gjata dhe të vështira, theksuan një grup ekspertësh në një diskutim të zhvilluar dje në Institutin Amerikan Enterprize. Analistët theksuan se suksesi i këtyre negociatave do të kërkojë një angazhim serioz të komunitetit ndërkombëtar si gjatë procesit, ashtu edhe pas zgjidhjes së statusit përfundimtar për ta angazhuar Kosovën në gjirin vendeve demokratike, në kuadër të integrimit të mbarë rajonit në strukturat euro-atlantike:

Statusi përfundimtar i Kosovës: Cilat janë rrethanat që e sollën këtë çështje në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar? Cilët janë aktorët që do të angazhohen në procesin e negociatave dhe cilat janë disa nga alternativat e zgjidhjes së statusit? Këto janë disa nga pyetjet të cilave u përpoqën t’i japin përgjigje pjesëmarrësit në diskutim.

"Bisedimet për të ardhmen politike të Kosovës nuk mund të shtyhen më tej, pasi çdo pengesë mund t’i shkallëzojë deri në konflikt tensionet në rajon," thotë analisti i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, Janush Bugajski. "Pa një status të përligjshëm, përparimi ekonomik dhe demokratik nuk mund të realizohet. Për këtë arsye, thotë analisti, standartet nuk mund të përmbushen para statusit."

Shefi i zyrës së Uashingtonit për Grupin Ndërkombëtar të Krizave, John Norris, thekson se komuniteti ndërkombëtar nuk kishte dëshirë të angazhohej në çështjet e Kosovës menjëherë, dhe kjo çoi në një situatë të mjegullt prej shumë vitesh që bëhet burim problemesh: "Kosova nuk është as provincë, as vend i pavarur. Kjo gjendje nuk funksionon. Politikisht dhe nga ana administrative është si një botë e sajuar. 70 për qind e pasurisë është pronë e shtetit, ndërkohë që nuk është e qartë se për cilin shtet bëhet fjalë: për Beogradin, për administratën e përkohshme? Kjo është një pengesë serioze në rajon që ka nevojë për investime urgjente. Prandaj është bërë e qartë se statu-kuoja nuk mund të qëndrojë në Kosovë," thotë zoti Norris.

Sipas vëzhguesve, statu-quaja duhet ndryshuar, gjithashtu pasi është shndërruar në një justifikim për autoritetet e përkohshme për të shmangur përgjegjësinë e reformave, gjë që e ka lënë Kosovën në vend-numëro. "Administrata e OKB-së dhe instuticionet vendore kanë bllokuar shumë çështje të rëndësishme, duke i lënë ato rob të zgjidhjes së statusit përfundimtar," thotë zoti Norris.

Pjesëmarrësit pohuan se nuk do të jetë e lehtë të gjendet një zgjidhje të pranueshme si për shqiptarët në Kosovë, ashtu edhe për Beogradin. Megjithatë, thekson zoti Norris procesi ka marrë që tani një drejtim të qartë: "Mendoj se komuniteti ndërkombëtar i ka bërë të qartë shumë parametra të procesit: Nuk ka kthimi prapa tek gjendja para vitit 1999, nuk do të ketë një bashkim të Kosovës me Shqipërinë apo me pjesë të Maqedonisë, nuk do të ketë ndarja të Kosovës, dhe cilido qoftë përfundimi i negociatave, kjo njësi administrative do të ketë fuqi dhe autoritet të mjaftueshëm për të filluar një proces integrimi në strukturat euro-atlantike," thotë John Norris i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Studiuesi i politikave të jashtme pranë Institutit amerikan Enterprize, Vance Serchuk, i cili vizitoi kohët e fundit Kosovën, theksoi me shqetësim një hendek të madh ndërmjet retorikës së komunitetit ndërkombëtar dhe angazhimit real të këtij komuniteti në terren. Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar ka theksuar se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, ndërkohë që realiteti në Mitrovicë dhe në rajone të tjera të Kosovës, flet për një ndarje territoriale në praktikë.

Vëzhgues të zhvillimeve në Ballkan të pranishëm në diskutim shprehën skepticizëm lidhur me mundesine e antaresimit te vendeve te Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo çështje nuk është në dorën e Uashingtonit, por të evropianëve. Kundërshtimi i kushtetutës së re nga vetë anëtarët e Bashkimit e ka vënë në pikëpyetje zgjerimin e mëtejshëm të organizatës, duke eliminuar një faktor të rëndësishëm në përpjekjet për të arritur kompromis me Beogradin. Por zoti Bugajski nuk është i këtij mendimi. Ai thotë se Evropa vetë do të arrijë në përfundimin se përfshirja në strukturat euro-atlantike e kësaj pjese të Ballkanit është në interes të mbarë kontinentit. Integrimi, thekson analisti i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, është e vetmja alternativë për të eliminuar destabilizimin e mëtejshëm të Ballkanit perëndimor dhe shndërrimin e tij në një parajsë për krimin e organizuar.

Procesi i negociatave do të kërkojë një angazhim energjik dhe, siç parashikojnë pjesëmarrësit në diskutim, për afro 6 muaj do të ketë ecejake të vazhdueshme nga ndërmjetësit ndërkombëtare në Beograd dhe në Prishtinë. Por sado i gjatë dhe i vështirë ky proces, analistët theksojnë rëndësinë jetike të angazhimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në proces.

XS
SM
MD
LG