Lidhje

SHBA: Rënia e popullaritetit të Presidentit, nuk po i ndihmon demokratët


Një anketë e re e gazetës Wall Street Journal dhe e rrjetit televiziv NBC News tregon se mbështetja për Presidentin Bush në Shtetet e Bashkuara ka rënë në nivelin 39 përqind, një tjetër rekord ky për zotin Bush, sipas këtij sondazhi. Disa anketa të tjera tregojnë se mbështetja publike për presidentin dhe politikat e tij ka muaj që është në rënie. Por ekspertët thonë se nuk ka garanci se demokratët e opozitës do të jenë në gjendje të përfitojnë në kohën e duhur, pra para se në Shtetet e Bashkuara të mbahen zgjedhjet për Kongresin.


Anketa e gazetës Wall Street Journal dhe e rrjetit televiziv NBC News tregon se vetëm 28 përqind e të pyeturve thonë se Shtetet e Bashkuara po ecin në drejtimin e duhur, përqindja më e ulët në 10 vitet e fundit.

Lidhur me Irakun, 58 përqind e të pyeturve thonë se duan që trupat amerikane të fillojnë të kthehen në atdhe pas zgjedhjeve të përgjithshme irakiane që janë planifikuar për në dhjetor.

Niveli i mbështetjes për Presidentin Bush ka muaj që vazhdon të bjerë pa ndërprerje, për shkak të shqetësimeve rreth Irakut, rritjes së çmimeve të karburantit dhe reagimit të ngadaltë të administratës pas uraganit Katrina.

Megjithë anketat, Presidenti Bush mbajti një qëndrim sfidues gjatë një konference të fundit për shtyp.

"Do bënit mirë të pyesnit organizatorët e anketave. Detyra ime është të udhëheq dhe të zgjidh probleme. Unë do të përpiqem t’i shpjegoj sa më mirë që të mundem interesat tona në Irak," tha Presidenti Bush.

Presidenti Bush po përpiqet gjithashtu të mos lejojë që të ngrejnë krye disa përfaqësues besnikë të bazës së tij konservatore të cilët i shqetëson emërimi nga ana e tij të këshilltares së Shtëpisë së Bardhë Harriet Miers për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë Sandra Day O'Connor.

Analisti politik Charles Cook ka kohë që vëzhgon pakënaqësitë në krahun e djathtë të Partisë Republikane të Presidentit Bush:

"Ata menduan se do të emërohej dikush i cili të ishte një konservator i pandryshueshëm dhe i fuqishëm. Ky grup konservatorësh tani është i zhgënjyer dhe disa prej tyre janë të zemëruar. Pyetja që shtrohet tani është: a e kanë kapërcyer tashmë ata këtë gjendje zhgënjimi apo jo?"

Demokratët e opozitës po përpiqen të shfrytëzojnë problemet politike të presidentit, por pa shumë sukses.

Për shembull, demokratët janë të ndarë në mendime rreth politikës që duhet ndjekur për Irakun. Disa aktivistë liberalë janë për tërheqjen e forcave amerikane. Por shumica e udhëheqësve demokratë shikojnë pak alternativa përveç mbajtjes së trupave në Irak tani për tani, megjithëse ata po i bëjnë presion administratës që të përcaktojë një kalendar konkret se kur mund të fillojë tërheqja e trupave amerikane.

Ja si shprehet senatori Joseph Biden, demokrati numër një në komisionin e punëve të jashtëme të senatit.

"Ka ardhur koha që presidenti të na thotë se si mendon të na nxjerrë nga vrima ku na ka futur aq thellë. Dhe nuk mjafton që të ndalë së gërmuari në këtë vrimë. Ai duhet të na thotë se cili është plani i tij”.

Por disa analistë thonë se demokratët kanë nevojë të bëjnë më shumë se sa thjesht ta kritikojnë Presidentin. Është e nevojshme që ata të ofrojnë alternativat e tyre politike dhe të tregojnë rrugën se ku dëshirojnë ta çojnë vendin.

Demokratëve u mungon gjithashtu një udhëheqës kombëtar që t’i bashkojë dhe që t’u ofrojë një pikpamje alternativë mbi përparësitë e vendit dhe se si duhet udhëhequr Amerika. Kjo tablo do të komplikohet më tej tani që një numër demokratësh përgatiten të venë kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG