Lidhje

Irak: Vazhdon numërimi i votave; parashikohet miratimi i kushtetutës


Zyrtarët irakianë vazhdojnë numërimin e votave të referendumit të së shtunës, ndërkohë që rezultatet e pjesshme çojnë në përfundimin se projektkushtetuta do të miratohet. Komisioni i pavarur zgjedhor i Irakut thotë se do të shqyrtojë praktikën e zgjedhjeve në disa provinca për të përcaktuar nëse ka patur parregullsi.

Rezultatet paraprake tregojnë se dokumenti është miratuar në dy provinca të rëndësishme suni, ku pritej të hidhej poshtë. Kushtetuta do të dështonte nëse 2 të tretat e votuesve në tre nga provincat irakiane votonin kundër saj.

Presidenti Bush përshëndeti popullin irakian për pjesëmarrjen në votim, megjithë kërcënimet e dhunës nga kryengritësit. Ndërkaq, goditjet ajrore amerikane lanë të vrarë 20 persona, të cilët, siç njoftojnë burimet ushtarake po planifikonin të vinin bomba në rrugët pranë Ramadit.

Ushtria amerikane thotë se në operacione të tjera të forcave të koalicionit në provincën Al Anbar në perëndim të Bagdatit u vranë dje rreth 50 persona të dyshuar si terroristë. Por banorët thonë se të paktën gjysma e të vrarëve ishin civilë.

XS
SM
MD
LG