Lidhje

Autorja Elvira Dones: Lexuesi është ai që i jep jetë shkrimtarit 


Me një libër të sajin të sapobotuar në frëngjisht, shkrimtarja Elvira Dones falenderon përveç të tjerash edhe fatin për suksesin e saj. Prej më shumë se një viti ajo banon pranë Washingtonit, por lëvizja nuk i ka ulur ritmet e krijimtarisë së saj në fushën e letrave, kinemasë dhe gazetarisë. Zonja Dones ishte këto ditë tek Zëri i Amerikës, ku i dha një intervistë koleges Keida Kostreci.

Zëri i Amerikës: Në librat tuaja, të paktën në romanet tuaja më të suksesshme, “Yjet nuk vishen kështu” dhe “Ditë e bardhë e fyer”, ju sillni realitetin e shqiptarëve, kontaktin e tyre të pare me botën perëndimore pas përmbysjes së komunizmit. Kur ju shkruani, kur përvijoni personazhet a keni parasysh një lexues shqiptar, apo perëndimor, instinktivisht cili lexues ju del para syve: ai shqiptar, apo ai perëndimor?

Elvira Dones: Shkrimtari përgjithësisht ka parasysh atë që do të tregojë, se për cilin lloj lexuesi është më pak e rëndësishme, jo për të nënvleftësuar absolutisht lexuesin. Lexuesi është ai që i jep jetë shkrimtarit në një farë mënyre, por shkrimtari shkruan në radhë të parë për veten, kam përshtypjen, ka një dozë egoizmi shumë më të madhe se shumë njerëz të tjerë në këtë drejtim. Unë jetoja prej vitesh në Zvicër dhe hulumtimi për librin “Yjet nuk vishen kështu” lindi si një interes gazetaresk në fillim, por u bë pastaj edhe një lloj tregimi për perëndimin.

Zëri i Amerikës: Libri juaj “Yjet nuk vishen kështu”, sapo është botuar në frëngjisht. A keni plane për të botuar veprat tuaja në anglisht?

Elvira Dones: Po natyrisht, cili shkrimtar që nuk do të kishte dëshirë të botohej në të gjitha gjuhët e botës, po të jetë e mundur. Jo vetëm dëshira, por edhe ka hapa konkrete si nga ana e agjentëve të mi, ashtu edhe nga ana e shtëpive botuese, dy shtëpitë botuese dhe ajo franceze, të cilat janë seriozisht të interesuara të sjellin librat e mi edhe në tregun anglishtfolës.

Zëri i Amerikës: Cilat janë aktualisht lidhjet tuaja letrare dhe profesionale në Shqipëri dhe si do ta vlerësonit skenën letrare në Shqipëri aktualisht?

Elvira Dones: Ndoshta unë jam nga ata të paktët njerëz që nuk kam folur, por kam dëgjuar shpesh të thuhet se nuk ka letërsi shqiptare ose ka shumë pak letërsi shqiptare, ose letërsia shqiptare përfaqësohet vetëm nga Ismail Kadare. Krejtësisht i gabuar si mendim dhe i sipërfaqshëm. Për një vend të vogël siç është Shqipëria, ka shumë pena, ka disa pena jashtëzakonisht me vlera që ia vlen barra qeranë që të jenë të botuar dhe të lexohen nga lexuesi i huaj. Fatkeqësia e madhe e shkrimtarëve shqiptarë është që shkruajnë në një gjuhë shumë të vogël. Kështuqë shpeshherë disa libra shumë të bukur, narrativë vërtet me vlerë në gjuhën shqipe nuk arrin ta kalojnë pragun e Shqipërisë, për këtë arsye. Kontakti im me Shqipërinë është i përditshëm gati në mënyrë fanatike, në radhë të parë për një lidhje të fortë emotive, në radhë të dytë për të gjithë interesat e mi personalë, ngaqë lëvroj prej vitesh, letërsinë, kinemanë dhe gazetarinë, ose më mirë dokumentaristikën televizive, dokumentarin e gjatë. Sot pastaj në erën e internetit është më kollaj se dikur. Shumë gjëra tani janë shumë më të kapshme dhe të arritshme.

Zëri i Amerikës: Cilat janë sipas jush sfidat dhe problemet me të cilat hasen shkrimtarët bashkëkohorë në Shqipëri?

Elvira Dones: Në Shqipëri ka një gjë shumë të mirë, Shqipëria dhe Ballkani përgjithësisht, ose më mirë të gjitha vendet e vuajtura, të gjitha vendet me konfliktualitet të madh. Ke një material jetësor për të shkruar që është i pa kufi. Duke u nisur pikërisht nga pikëvështrimi i shkrimtarit, ke material. Mjafton të ulesh dhe të kapësh një nga temat dhe të shohësh diçka që të duket më shumë i përshtatshëm si shkrimtar për ta sjellë në faqet e një libri. Kështuqë Shqipëria nuk vuan nga një përtharje tematike, në të kundërt e ka këtë me shumicë. Është e vështirë për një shkrimtar të jetojë pastaj me atë që shkruan.

Zëri i Amerikës: Po juve vetë si shkrimtare sa ju ka ndihmuar fakti i gjetjes së këtyre temave, pra ju vetë po thoni se nuk është vështirë në Shqipëri të gjendet një tematikë e caktuar. Sa ka ndikuar kjo në suksesin tuaj si shkrimtare?

Elvira Dones: Ndoshta mund t’ia atribuoj suksesin edhe faktit që isha e ikur nga Shqipëria dhe gjithë aktiviteti im letrar është kryer jashtë Shqipërisë. Në këtë mënyrë duke zhvilluar pastaj edhe profesionin e shkrimtares, kisha më shumë mundësi konkrete edhe me botues të huaj, ishte disi më e lehtësuar nga njëra anë. Nga ana tjetër ka në të gjithë këtë, edhe një dozë të vogël ballkaniteti. Ne shqiptarët themi ishte edhe një pjesë fati. Për shumë pena të mrekullueshme të narrativës bashkëkohore që nuk kanë emra shumë të mëdhenj, apo nuk kanë libra të shitur në gjithë botën, me qindra, mijëra, apo miliona kopje. Këta shkrimtarë ndonjëherë nuk arrijnë të bëjnë emër shumë të madh, pikërisht se nuk kanë patur edhe atë dozë të vogël fare që është pastaj fati. Një nga dozat e mia të fatit në këtë rast ishte blerja e librit nga shtëpia botuese Feltrinelli në Itali. Ishte diçka që askush nuk do të kishte besuar se do të ecte. Ngaqë unë pata dërguar 30 faqe që i kisha përkthyer, ata pastaj blenë gjithë librin.

Zëri i Amerikës: Dhe në fund a mund të na thoni diçka për planet tuaja aktuale, për librat që keni në dorë, në mos gaboj po shruani një libër në shqip dhe një në italisht, ashtu si edhe për gjithë punën tuaj që po bëni aktualisht në gazetari dhe kinematografi?

Elvira Dones: Sapo kam përfunduar një dokumentar të gjatë që transmetohet për televizionin zvicerian, në tre gjuhët e Zvicrës: italisht, gjermanisht dhe frengjisht. Një film artistik bazuar në librin “Ditë e bardhë e fyer”, për të cilin sapo kam filluar versionin e parë të skenarit dhe fillojnë xhirimet në fillim të vitit 2006. Botohet në italisht pjesa e tretë dhe e fundit e “Trilogjisë së Dhimbjes” që është “Më pas heshtja”, i cili del në shkurt të 2006-ës në Itali. Kam mbaruar së shkruari një libër në gjuhën italiane, një libër që trajton Shqipërinë nga fillimi në fund, personazhi i së cilës është një grua shqiptare. Libri titullohet “Hanna della gonna storta”, “Hana me fundin e shtrembër”. Gjithashtu kam në dorë një libër për Kosovën që shpresoj shumë të arrij ta mbaroj deri në vjeshtën e vitit tjetër.

XS
SM
MD
LG