Lidhje

Prof. Pettifer: Për Kosovën mund të arrihet një marrëveshje e tipit të Gjenevës, apo Dejtonit


Një ekspert britanik dhe autor librash për Ballkanin, thotë se tani që pavarësia pa kushte për Kosovën është një nga alternativat për të ardhmen e saj, sfida mbetet sesi do të realizohet ajo. Profesor James Pettifer i cili ndodhej këto ditë në Washington, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se mesa duket komuniteti ndërkombëtar ka parasysh për Kosovën një marrëveshje të tipit të Gjenevës, apo Dejtonit. Profesor Pettifer, i cili së bashku me autoren Miranda Vickers po shkruan një libër për ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri, tha se zgjedhjet e këtij viti atje ishin një hap përpara përsa i takon kalimit paqësor të pushtetit.

Zëri i Amerikës: Zoti Pettifer, nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns gjatë vizitës së tij në Ballkan, shprehu shpresën se procesi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës do të ecë përpara me shpejtësi. Si mendoni ju se do të shkojë procesi i negociatave?

James Pettifer: Raporti i të dërguarit të posaçëm Kai Eide u bë publik dhe jep përgjithësisht një pamje pozitive për hapjen e negociatave. Mendoj se çështja tani do të jetë sesi të realizohet një gjë e tillë dhe duhet të marrim vesh më shumë se cili do të jetë qëndrimi i Shteteve të Bashkuara.

Zëri i Amerikës: Por si mendoni ju se do të arrihet në një emërues të përbashkët lidhur me rezultatin e këtyre negociatave, pra si mund të arrihet një kompromis mes shqiptarëve dhe serbëve, ndërkohë që shqiptarët duan vetëm pavarësinë, ndërsa serbët pikërisht një gjë të tillë nuk duan. Si e shihni ju mundësinë e një kompromisi të tillë?

James Pettifer: Tani është vetëm fillimi i procesit dhe procesi mund të zgjasë shumë, siç ndodh zakonisht në këto raste. E rëndësishme për të ardhmen e afërt është se sa seriozisht e merr qeveria serbe gjithë procesin. Cila do të jetë përbërja e delegacionit, sa kompetenca do të ketë delegacioni dhe si do të merren vendimet, sepse nëse kujtojmë Rambujenë një nga vështirësitë në atë proces ishin se në fillim, qeveria serbe as nuk e mori seriozisht. Ishte një delegacion i nivelit të ulët që nuk ishte në gjendje të merrte vendime të rëndësishme. Gjëja e parë që do të shihet me kureshtje është përbërja e delegacionit serb dhe çfarë kompetencash do të ketë.

Zëri i Amerikës: Përpara lëvizjeve të përshpejtuara diplomatike të këtij viti lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës, ishte krijuar ideja se nuk kishte një strategji të qartë nga komuniteti ndërkombëtar për të ardhmen e saj dhe sesi do të veprohej për të shkuar drejt saj. A mendoni se tani komuniteti ndërkombëtar e ka të qartë tani se cila do të jetë strategjia drejt këtij statusi?

James Pettifer: Mendoj se kanë një strategji mbështetur në faktin që mund të arrihet një marrëveshje e llojit të asaj të Gjenevës, ose e Dejtonit, apo bisedimeve të Rambujesë dhe mendoj se është një strategji e mirë dhe sigurisht që duhen bërë përpjekje që të funksionojë. Vështirësia do të jetë nëse për ndonjë arsye, që mund të jetë e parashikueshme, apo që ne as nuk mund të na shkojë mendja, bisedimet nuk funksionojnë. Por nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Shpresoj që bisedimet të funksionojnë. Një nga arsyet se pse është e domosdoshme që bisedimet të funksionojnë është se përndryshe do të krijohej një vakuum politik, çka do të krijonte destabilizim.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë pak tek zhvillimet politike në Shqipëri, ku pati një ndryshim të pushtetit, ku tani Partia Demokratike dhe aleatët e saj janë në pushtet. Cili do të ishte komenti juaj për këto ndryshime?

James Pettifer: Mendoj se gjithkush, pavarësisht nga prirjet apo bindjet politike duhet të përshëndesë faktin që kalimi i pushtetit në Shqipëri u realizua në mënyrë paqësore, me parti demokratike që këmbejnë rolet nga qeveria në opozitë dhe kjo është diçka shumë pozitive. Kjo do të ndihmojë përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në institucionet euroatlantike. Mendoj se rezultati i zgjedhjeve ishte një befasi e madhe për shumë njerëz në komunitetin ndërkombëtar. Mendoj se ekziston një përshtypje shumë e përhapur sidomos në komunitetin diplomatik të Tiranës se megjithëse zoti Nano nuk gëzonte shumë popullaritet tek shumë njerëz, gjatë kohës që ai ishte në qeveri, ishin futur shumë para në vend dhe ndoshta kjo do të kishte qenë e mjaftueshme që ai të rizgjidhej. Mendoj se ajo që ne nuk arritëm ta kuptonim, ishin pakënaqësitë ndaj qeverisë së zotit Nano, veçanërisht pakënaqësia e të rinjve dhe dëshira për ndryshim. Ata ishin të gatshëm të rrezikonin duke i dhënë Partisë Demokratike të doktor Berishës një shans dhe të harronin vështirësitë e para disa viteve me të, në këmbim të një qeverie të re. Dhe mendoj se shumë të huaj e nënvleftësuan këtë fakt në ecurinë e ngjarjeve.

XS
SM
MD
LG