Lidhje

Pres. Musharaf u hap rrugën ndihmave direkte të qytetarëve indianë në Kashmirin pakistanez


Presidenti pakistanez Pervez Musharraf tha se është i gatshëm të lejojë banorët e Kashmirit indian të kalojnë në Pakistan për të ndihmuar në rindërtimin e rajonit të shkatërruar nga tërmeti i 8 tetorit. Ende nuk ka ndonjë përgjigje nga India, e cila ka autorizuar tre dërgesa me ndihma për në Pakistan dhe ka lejuar që për dy javë banorët e Kashmirit indian të mund të telefojnë direkt njerëzit e tyre në Pakistan.

Telefonatat direkte u ndaluan në vitin 1990 për shkak të rebelimit islamik në Kashmirin indian. India akuzon Pakistanin për këtë rebelim, akuzë që Islamabadi nuk e pranon. Ndërkohë, agjencia e OKB-së, Programi Botëror i Ushqimit, thotë se pothuajse gjysmë milioni njerëz që i shpëtuan tërmetit në Pakistan ende nuk kanë marrë ndihma. Paralajmërimi i OKB-së vjen ndërkohë që presidenti i Pakistanit Pervez Musharraf i kërkoi komunitetit ndërkombëtar më shumë çadra për njerëzit e mbetur pa strehë.

Kushtet e motit të martën ishin të mira dhe helikopterët ushtarakë pakistanezë e amerikanë dërguan me shpejtësi ndihma në Muzaffarabad, ku dëmet dhe viktimat e tërmetit ishin më të mëdha. Ekipet e ndihmave ngritën spitale fushore për të mjekuar mija njerëzit e plagosur. Zyrtarët thonë se vetëm në Pakistan, numri i të vdekurve është afro 50 mijë.

XS
SM
MD
LG