Lidhje

Parandalimi i gripit të shpendëve: një analizë e re premtuese


Shqetësimet për një epidemi të mundshme të gripit të shpendëve kanë rritur së tepërmi kërkesat për një paketë të re diagnostikimi. Kjo paketë e re e prodhuar nga një kompani në Singapor krijon mundësi për diagnostikimin e virusit H5N1 në fazat e para të sëmundjes, duke dhënë mundësi për izolimin e personave të infektuar në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e gripit:

Shkencëtarët në Singapor besojnë se një kuti e vogël ka brenda çelësin mes jetës dhe vdekjes. Kutia përmban një paketë për analiza e cila mund të zbulojë brenda 4 orësh nëse një mostër përmban variantin e virusit të gripit H5N1. Që pas hedhjes së kësaj pakete në treg dy muaj më parë, kompani në mbarë botën ka paraqitur kërkesa.

Shkencëtarët në Laboratorin Veredus kanë prodhuar rreth 500 mijë paketa analizash në muaj. Deri tani virusi nuk përbën kërcënim serioz për njerëzit, pasi nuk transmetohet nga një person tek tjetri. Por ekziston shqetësimi se varianti mund të ndryshojë duke fituar aftësinë për të shkaktuar një epidemi gripi e cila mund të shkaktojë vdekjen e miliona vetëve në botë. Dr. Ren Ei Che punon për Institutin e Gjenomit "Nëse bëhet fjalë për rrezikun tek njerëzit, atëherë të intereson të marrësh sa më parë rezultatin e analizave. Kjo paketë mundëson zhvillimin e analizave brenda 2-4 orësh. Nëse shfaqet rreziku i transmetimit të virusit nga një person tek tjetri, atëherë pacientët e infektuar duhen vendosur në karantinë për t’i veçuar nga personat e painfektuar. Simptomat e personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe të atyre që sapo janë prekur nga gripi i shpendëve janë shumë të ngjashme. Prandaj duhen bërë menjëherë analizat për të diagnostikuar personin që shfaq simptoma dhe për ta izoluar nëse është prekur nga gripi i shpendëve," thotë Dr. Che.

Paketa analizon mostrën për të gjetur gjurmë të ADN-së së virusit. Në laborator gjeni i virusit zmadhohet dhe studiohet me rreze ultra-vjollcë, dhe nëse shfaqet një shirit i ndritshëm, kjo tregon se varianti H5N1 i virusit është i pranishëm. Rosemary Tan, e cila themeloi laboratorin Veredus, thotë se diagnostikimi në të kaluarën është bazuar në simptomat klinike, gjë që shpesh ka çuar në diagnozën e gabuar. "Këto paketa analizash përdorin teknologjinë diagnostikuese përmes ADN-së. Ne analizojmë mostrën për të parë nëse është i pranishëm gjeni që identifikon këtë virus, dhe më pas ky gjen zmadhohet. Në këtë mënyrë sëmundja kapet që në fazat e para. Pra paketa mendohet se mund të identifikojë virusin që në ditën e dytë apo të tretë të infektimit," thotë zj. Tan.

Kërkesat për paketën e re kanë ardhur kryesisht nga Azia dhe Lindja e Mesme, ku virusi ka shkaktuar deri tani vdekjen e të paktën 60 personave. Por me shfaqjen e virusit në Evropë, shkencëtarët e Laboratorit Veredus mendojnë se së shpejti kudo në botë do të forcohen masat e kontrollit dhe të parandalimit të sëmundjes.

XS
SM
MD
LG