Lidhje

Pakistan: Numri zyrtar i të vdekurve nga tërmeti arrin në 48 mijë


Zyrtarët pakistanezë thonë se numri zyrtar i vdekjeve nga tërmeti i 8 tetorit ka arritur në rreth 48 mijë vetë, ndërsa numri i të plagosurve është rreth 67 mijë. Gjeneralmajori Farooq Khan u tha gazetarëve se numri i të vdekurve i njoftuar të hënën po rishikohet. Gjenerali Khan tha se nevojiten gjymtyrë artificiale dhe aparatura të tjera për trajtimin e të plagosurve dhe rehabilitimin e të gjymtuarve.

Ndërkohë spitalet u rihapën në qytetin më të shkatërruar, atë të Muzaffarabadit dhe punonjësve të shpëtimit iu tha të mos i dërgojnë pacientët në Islamabad, ku spitalet janë tashmë të mbingarkuara. Gjenerali Khan tha gjithashtu se 100 ekipe psikologësh kanë filluar këshillimin e njerëzve të traumatizuar. Ai shtoi se Pakistani do të ketë nevojë për më tepër se 5 miliardë dollarë për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar. Ai shtoi se do të nevojiten më tepër para për rindërtimin e fshatrave dhe qyteteve.

Në Kashmirin indian, ku tërmeti ka shkaktuar rreth 1 mijë e 400 të vdekur, njerëzit shfrytëzuan rastin nga vendimi i Indisë për hapjen e linjave direkte telefonike me Kashimrin pakistanez, për të telefonuar për të parën herë pas 15 vjetësh familjarët e ndarë. India e mirëpriti ofertën e presidentit të Pakistanit për hapjen e Vijës së Kontrollit në kufirin mes Kashmirit indian dhe atij paksitanez.

XS
SM
MD
LG