Lidhje

Z. Petersen në Tiranë; autoritetet shqiptare mbështesin haptas pavarësinë e Kosovës


Në Shqipëri autoritetet më të larta të vendit u shprehën qartë se mbështesin pavarësinë e Kosovës në përputhje me vullnetin e lirë të popullit të saj, duke shmangur kështu termin e pavarësisë së kushtëzuar të përdorur javët e fundit. Gjatë takimeve me kryeadministratorin e OKB-së, Soren Jesen Petersen, Tirana u angazhua të mbështesë plotësisht procesin e bisedimeve për statusin duke bërë thirrje për garantimin e të drejtave të serbëve dhe pakicave të tjera atje.

Vizita e zotit Petersen në Tiranë shërbeu për të qartësuar qëndrimin e autoriteteve të qeverisë së re shqiptare lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Deklarimet për një pavarësi të kushtëzuar të cilat u shprehën fillimisht në asamblen e Kombeve të Bashkuara krijuan jo pak pështjellim, veçanërisht në Kosovë ku një pozicionim i tillë nuk u përtyp lehtësisht.

Por kryeministri Berisha e anashkaloi këtë term duke u shprehur për një pavarësi në përputhje me vullnetin e lirë të popullit të Kosovës: "Pikëpamja jonë është pavarësia dhe kjo është e njohur por gjithshka varet jo nga vendet e rajonit por nga vullneti i lirë i popullit të Kosovës dhe Grupi i Kontaktit në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, natyrisht dy çështje janë thelbësore: Çështja e garantimit të të drejtave të serbëve dhe minoriteteve dhe çështja e dialogut me Beogradin," tha zoti Berisha.

Autoritetet shqiptare i mëshuan me forcë nevojës që përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës të angazhohen për të garantuar të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të pakicave të tjera atje. Kryeministri Berisha tha se hapja e bisedimeve për statusin është një rast i mirë që të shndërrohet në një moment veprimi dhe platforme të re të qeverisë dhe forcave politike në Kosovë lidhur me të drejtat e pakicave.

Nga ana e tij zoti Petersen u shpreh se i është kërkuar Beogradit që të nxisë pjesmarrjen dhe angazhimn e serbëve të Kosovës në institucione. Ai tha se ka shumë punë për të bërë për pakicat veçanërisht për lëvizjen e lirë dhe sigurinë e tyre, por rezultatet do jenë të kufizuara, u shpreh ai, nëse vetë serbët e Kosovës nuk angazhohen, dhe kjo vlen edhe në diskutimet për statusin, nga të cilat duhet të dalë një Kosovë me standarte demokratike: "Kosova duhet të dalë nga këto bisedime si një Kosovë e qëndrueshme, tolerante, multietnike dhe demokratike. Kosova bën pjesë në kuadrin e përpjekjeve të përgjithshme të integrimit të rajonit," tha z.Petersen.

Ministri i jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj u shpreh se Shqipëria do të jetë shumë aktive në këtë proces por jo aktore dhe se ajo do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi paqësor. Zoti Mustafaj deklaroi njëkohësisht dëshirën e Tiranës për të bashkëpunuar ngushtë me Beogradin: "Bashkëpunimi ynë me Beogradin në këtë periudhë ka një rëndësi të madhe, veçanërisht të madhe që lidhet me interesin e përbashkët të të dy vendeve për bashkëpunim, interesin e përbashkët që ka rajoni për një bashkëpunim intensiv mes Tiranës dhe Beogradit. Ne jemi tërësisht të gatshëm për zgjerimin e këtij bashkëpunimi", tha ai.

Nga ana e tij presidenti Alfred Moisiu duket se është më i avancuar në qëndrimet për Kosovën dhe statusin e saj të ardhshëm. Në takimin me kryeadministratorin Petersen ai ka deklaruar se: “Kosova, nuk mund të kthehet atje ku ka qenë dhe as nuk mund të ndahet apo t’i bashkohet një vendi tjetër dhe kjo do të thotë të jetë e pavarur ashtu si të gjitha ish pjesët e tjera të ish Jugosllavisë, të cilat janë sot shtete të pavarura”, tha Presidenti Moisiu.

XS
SM
MD
LG