Lidhje

Shqipëri: Arrestohen dy të dyshuar si pjesëtarë të krimit të organizuar ndërkombëtar


Në Shqipëri policia ka arrestuar dy persona të cilët konsiderohen si pjestarë të një rganizate ndërkombëtare të drogës me shtrirje në disa vende të Europës. Arrestimet u kryen pas mbledhjes së materialeve të shumta të ardhura kryesisht nga Italia, pas hetimeve disa vjecare. Autoritetet policore dhe ato të drejtësisë deklarojnë se bëhet fjalë për një organizatë mjaft të fuqishme që merrej me trafikun e heroinës dhe po hetojnë dhe mbi katër persona të tjerë.

Gjergj Dervishi dhe Fatjon Skënderaj dy të arrestuarit nga policia shqiptare, zhvillonin të ndarë nga njëri tjetri aktivitete private. I pari kryente tregti dhe kishte një dyqan elktroshtëpiakesh ndërsa Skënderaj kishte një servis në Tiranë. Të dy megjithatë i bashkonte trafiku i drogës dhe bizneset e tyre shërbenin si fasadë për një trafik të përmasave ndërkombëtare të heroinës.

Me anë të importimit të pajisjeve elektroshtëpiake, Dervishi përdorte mjetet e transportit për të sjellë në Shqipëri, nëpërmjet Bullgarisë, heroinën e marrë në Turqi. Skënderaj nga ana tjetër, përdorte servisin e tij për të bërë modifikimet e shumë makinave ku fshihej droga. Me anë të korrierëve të ndryshëm lënda narkotikea nisej drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës.

Të dy të arrestuarit janë pjesë e një rrjeti të madh ndërkombëtar, hetimet ndaj të cilit kanë nisur që përpara vitit 2000 dhe janë shtrirë në Itali, Gjermani, Spanjë e Bullgari. Vetëm në Itali për këtë grup janë angazhuar prokuroritë e tre qyteteve të ndryshme, Palermos, Barit dhe Foxhias.

Në dy muajt e fundit, në Itali, ishin sekuestruar 120 kilogram heroinë e trafikuar nga kjo organizatë e megjithatë ajo ka vazhduar aktivitetin duke gjetur rrugë të tjera për shpërndarjen e drogës. Sipas hetuesve ky fakt dëshmon qartë për potencialin ekonomik dhe infrastrukturën e qëndrueshme të këtij grupi. Gjatë këtyre viteve, shumë pjesëtarë të këtij rjeti janë kapur, përfshirë edhe shqiptarë.

Hetimet e drejtësisë italiane kanë nxjerrë në dritë përfshirjen edhe të zyrtarëve apo mbështetjen që kjo organizatë kishte edhe mes eksponentëve të politikës shqiptare. Por deklarimet e autoriteteve të këtushme nuk shkojnë deri në këtë pikë. Përvec dosjeve të tëra me përgjime telefonike të realizuara nga drejtësia italiane, hetuesit shqiptarë dhe policia thanë sot se nga kontrollet e banesave të të arrestuarve por dhe të personave të tjerë janë gjetur prova të rëndësishme për hetimin e mëtejshëm.

Nga deklarimet e sotme mësohet vetëm se Skënderaj ka qenë efektiv i policisë dhe Gardës së Republikës e ka shërbyer si shofer e shoqërues i disa ish-drejtuesve të Komisariateve të policisë së Tiranës. Të paktën edhe katër persona të tjerë janë nën shënjestrën e autoriteteve të drejtësisë për përfshirjen në këtë rrjet, i cili nga prokurorët mund të konsiderohet i përmasave të grupit të kokainës të zbuluar në vitin 2001 dhe që realizonte trafikun e drogës nga Kolumbia drejt vendeve të Europës.

XS
SM
MD
LG