Lidhje

Bota arabe reagoi në mënyra të ndryshme ndaj fillimit të gjyqit të Saddam Hussein


Bota arabe reagoi në mënyra të ndryshme ndaj fillimit të gjyqit të ish-diktatorit irakian Saddam Hussein, nën akuzat për vrasjen e 143 irakianëve.

Mes irakianëve që ndoqën procesin dje, shumë arabë suni thanë se Saddami është heroi i tyre dhe dënuan gjykatën irakiane që po kryen gjyqin ndaj tij si vegël amerikane. Shiitët dhe Kurdët, që kanë vuajtur nën regjimin e tij e përshëndetën gjyqin duke e quajtur drejtësi të vonuar dhe shumë prej tyre bënë thirrje për ekzekutimin e Saddamit.

Jashtë Irakut, gazetat arabe bënë komente të ndryshme. Në Kuvajt, vend i cili u pushtua nga ushtria e Saddamit në vitin 1990, gazeta al-Watan shkruante se djalli i Irakut doli para drejtësisë. Por në Arabinë Saudite, e përditshmja al-Riyadh paralajmëronte se megjithëse bota i dënon krimet e Saddamit, gjyqi mund ta kthejë atë në një hero në sytë e atyre që duan ta shohin atë si të tillë.

Ndërkohë, në Bagdad Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe Amr Moussa po bën vizitën e tij të parë që nga përmbysja e Saddamit dhe po zhvillon takime me udhëheqës të lartë politikë dhe fetarë.
XS
SM
MD
LG