Lidhje

Fondi shqiptaro amerikan i Ndërmarrjeve ka investuar afër 62 milionë dollarë në ekonominë shqiptare.


Fondi shqiptaro amerikan i Ndërmarrjeve ka investuar afër 62 milion dollarë në shumë sektor të ekonomisë shqiptare.

Drejtuesit e këtij fondi aktiviteti i të cilit nisi 10 vjet më parë me një financim të qeverisë së Shteteve të Bashkuara thanë sot se Transparenca, sundimi i ligjit dhe korrupsioni janë disa nga çështjet me të cilat Shqipëria duhet të përballet në të ardhmen.

Në fillim të viteve ’90 Shtetet e Bashkuara ngritën një program i cili kishte si qëllim nxitjen e zhvillimit të sektorit privat në ish vendet komuniste. Ky program financiar u konsiderua si një mundësi alternative e ndihmës së huaj për të vepruar jashtë burokracisë tradicionale administrative. Në Shqipëri Fondi shqiptaro amerikan i ndërmarrjeve lindi në vitin 1994 dhe ushtroi aktivitetin jashtë kornizave të një asistence financiare, si një investitor direkt që financon biznese fitimprurëse.

Në 10 vjet ka realizuar 62 investime në 25 kompani duke investuar në totral 62 milion dollarë e duke dyfishuar në këtë mënyrë kapitalin fillestar që ishte akorduar nga qeveria e shteteve të Bashkuara. Investimi më i madh është Banka amerikane e Shqipërisë, po ashtu dhe përfshirja në koncesionin e aeroportit Nënë Tereza . Ndërkohë që shtrirja e tij është në shumë sektorë të ekonomisë që nga kompanitë e sigurimeve deri te aktivitetet prodhuese.

Kryetari i nderit i këtij Fondi, Dominik Scalione tha sot se gjatë këtyre viteve është bërë një punë e madhe dhe e vështirë:

"Qëllimi i parë ka qenë hapja e vendeve të punës dhe së dyti të nxisim inisiativën e lirë private me sa më shumë kishim mundësi nëpërmjet financimeve tona, të nxisnim eksportet dhe të reduktonim importet".

Ndërsa kryetari i Bordit të Fondit Michael Granoff u shpreh se aktiviteti në Shqipëri është një nga eksperiencat më të suksesshme pavarësisht problemeve të hasura vecanërisht në 5 vitet e para për shkak të trazirave civile, skemave piramidale korrupsionit të gjerë dhe varfërisë së madhe.

Ashtu si dhe të gjithë investitorët e tjerë të huaj, edhe përfaqësuesit e Fondit theksojnë se vendosja e rregullave të tregut dhe funskionimi i institucioneve do të krijojnë më shumë mundësi.

"I gjithë ky progress i bërë në këto 10 vite paraprin sfidat që e presin Shqipërinë. Transparenca, sundimi i ligjit dhe korrupsioni janë disa nga cështjet që Shqipëria duhet të përballojë në vitet në vijim. Janë të vështira për është një luftë që vlen të luftohet" tha zoti Granoff.

Kompanitë në të cilat Fondi shqiptaro amerikan i Zhvillimit ka investuar kanë kontribuar me më shumë se 419 milion dollarë në Prodhimin e Brendshëm bruto të vendit dhe kanë krijuar mbi 2700 vende pune. Më shumë se sa tek financimet, Fondi ofron ndihmesë në drejtimin e aktiviteteve private, në teknologjinë e informacionit si dhe në praktikat më të avancuara të drejtimit financiar. /al

XS
SM
MD
LG