Lidhje

Reagime të ndryshme pas raportit të OKB-së për vrasjen e ish-kryeministrit libanez


Siria e cilësoi si të pabazë dhe të motivuar politikisht, raportin e OKB-së, që e lidh një prej zyrtarëve të saj të lartë të zbulimit me vrasjen e ish Kryeministrit të Libanit Rafik Hariri.

Hetuesi i OKB-së, Detlev Mehlis, botoi dje raportin prej 54 faqesh ku thuhet se vrasja ishte e planifikuar para disa muajsh. Ai thotë se të dhëna të shumta të çojnë në një drejtim, në përfshirjen e Sirisë dhe Libanit. Ish kryeminsitri Hariri u vra në shkurt nga shpërthimi i një makine bombë.

Mes personave të përfshirë në atentat është shefi i shërbimeve siriane të zbulimit, i cili është kunati i Presidentit të Sirisë Bashar al-Asad.

Në Bejrut ligjvenësit anti-sirianë, të cilët dyshonin prej kohe në përfshirjen e Sirisë, e përshëndetën raportin dhe bënë përsëri thirrje që Presidenti i Libanit Emile Lahud, një aleat i ngushtë i Sirisë, të japë dorëheqjen.

Të martën zoti Mehlis do të informojë Këshillin e Sigurimit për raportin e tij, i cili pritet ta izolojnë më tej këtë vend.

Shtetet e Bashkuara reagojnë për raportin e OKB-së

Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice tha se raporti i Kombeve të Bashkuara për vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri, që implikon zyrtarë sirianë dhe libanezë është shumë shqetësues. Ajo thotë se përpjekjet diplomatike të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje do të bëhen në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë e prisnin që në raport do të flitej për lidhje të figurave siriane dhe libaneze të shërnbimeve të fshehta me vrasjen e Haririt dhe sekretarja Rice është kosultuar me zyrtarë të lartë rusë, britanikë dhe francezë ditët e fundit, si edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Kofi Annan për hapat e mundshme.

Sekretarja e Shtetit bëri komentet e para për raportin e hetuesit të OKB-së Detlev Mehlis në shtetin e saj të Alabamës, ku ajo ka ftuar Sekretarin e Jashtëm britanik, Jack Straw për të kaluar fundjavën.

Ajo u tha gazetarëve që udhëtojnë me të se edhe një lexim fillestar i raportit, është trodnitës, pasi implikon zyrtarë sirianë dhe se duket qartë se Siria nuk ka bashkëpunuar në hetimin e OKB-së.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara do të konsultohen me anëtarë të tjerë të Këshillit të Sigurimit gjatë dy ditëve të ardhshme dhe se këshilli që do të mblidhet gjatë dy ditëve të ardhshme për këtë çështje do të jetë qendra e vendim-marrjes për hapat e mëtejshme.

Në Washington, zyrtari më i lartë i Departamentit të Shtetit për Lindjen e Mesme, David Welch bëri komente edhe më të detajuara.

Zoti Welch, nënsekretari i shtetit për çështjet e lindjes së afërt tha në Qendrën e Shtypit në Washington se përfundimet kryesore të hetimit, sjellin implikime të rënda.

“Cilat janë këto elemente? Po i përsëris edhe një herë për ju. Ky krim është kryer për motive politike. Së dyti, mesa duket ka patur një konspiracion të sofistikuar, organizimi i së cilës është shpjeguar me hollësi në raport. Së treti, përmenden deklarata të rreme, mungesë bashkëpunimi dhe dëshmi të sajuara dhe arrihet në përfundimin se prokurori ka arsye që të japë argumentin që ishte marrë një vendim për të vrarë Rafik Haririn dhe se kjo nuk mund të bëhej pa miratimin e zyrtarëve të lartë sirianë dhe nuk mund të ishte organizuar pa bashkëpunimin e homologëve të tyre libanezë”.

Zoti Welch tha se Shtetet e Bashkuara janë në krah të popullit libanez, të familjeve të viktimave të sulmit me makinë bombë ndaj zotit Hariri shkurtin e kaluar dhe në krah të komunitetit ndërkombëtar, duke bërë thirrje për të gjetur fajtorët për atë që ai e quajti një akt të tmerrshëm.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara tërhoqën ambasadorin e tyre nga Damasku, pak pas vrasjes së ish-kryeministrit dhe kanë vendosur disa sanksione kundër qeverisë së Damaskut, në bazë të një ligji miratuar nga Kongresi para dy vjetësh.

Presidenti Bush mund të vendosë masa më të ashpra ndëshkuese, në bazë të ligjit. Përveç shprehjes së shqetësimeve për vrasjen e Haririt, administrata e Presidentit Bush ka thënë se Siria ka lejuar ekstremistë islamikë të kalojnë tranzit në territorin e saj, për t’u bashkuar me kryengritësit në Irak, si edhe ka mbështetur fraksionet palestineze që janë kundër përpjekjeve për paqe me Izraelin.

Në një dëshmi në senat këtë javë, Sekretarja Rice tha se administrata po shyrton masat diplomatike lidhur me aktivitetet siriane dhe iraniane në lidhje me Irakun, por se gjithashtu nuk do të përjashtonte mundësinë e përdorimit të forcës, duke shtuar se ajo nuk mund të komentonte mbi kompetencat që i takojnë presidentit.

XS
SM
MD
LG