Lidhje

Serwer: E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian


Daniel Serwer, Drejtor i Programit për Paqen e Stabilitetin dhe Nismën Ballkanike në Institutin amerikan të Paqes, thotë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, megjithëse negociatat për satatusin e saj përfundimtar do të jenë të vështira. Për arsye të ngarkesës së madhe politike të negociatave, ai thotë se nuk i duket ide e mirë që peshën kryesore të tyre ta mbajë OKB-ja.

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, tani që komuniteti ndërkombëtar ka vendosur të fillojnë negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës, duke patur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të shqiptarëve, që duan asgjë më pak se pavarësia dhe të serbëve që janë shprehur për një autonomi më të madhe por në asnjë mënyrë pavarësi, si e parashikoni ju ecurinë e negociatave?

Daniel Serwer: Unë mendoj se do të zhvillohen negociata midis autoriteteve në Prishtinë dhe ekipit ndërkombëtar si dhe midis Beogradit dhe ekipit ndërkombëtar. Nuk mendoj se do të ketë shumë negociata direkte midis Prishtinës dhe Beogradit. Ata mund të mblidhen së bashku po të paraqitet nevoja, por edhe në Marrëveshjen e Dejtonit tek të cilat referohen shumë analistë nuk pati bisedime direkte midis palëve në konflikt. Mendoj se dinamika e këtyre negociatave do të jetë midis komunitetit ndërkombëtar dhe palëve. Me sa duket këtë herë bisedimet do të jenë midis të dërguarit të OKB-së dhe palëve. Sinqerisht mua nuk më pëlqen shumë kjo ide. Unë nuk mendoj se OKB-ja mund të përballojë ngarkesën e madhe politike që përfshihet në këto negociata. Mendoj se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë më të përshtatshme për t’i përballuar ato. Në qoftë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen për të lënë OKB-në të provojë, pa e pajisur me një vendim të qartë për statusin, mendoj se OKB-ja mund të dështojë dhe kjo mund të ketë pasoja katastrofike në Ballkan sepse mund të shkaktojë shpërthimin e dhunës.

Zëri i Amerikës: Në botën e sotme ne kemi ende kombet-shtete. Pavarësisht se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës, si e shikoni ju konfigurimin e Ballkanit dhe më gjerë të Evropës me këtë entitet të ri?

Daniel Serwer: Nuk mendoj se ne mund ta lejojmë Kosovën të jetë një përjashtim në Evropë. Ajo nuk mund të mbetet jashtë programit Evropian. Bashkimit Evropian hyn në bisedime për anëtarësim vetëm me shtete sovrane. Duhet ta bëjmë të qartë që në fillim se cilido të jetë statusi i saj, Kosova do të bëhet anëtare duke hyrë në negociata të drejtpërdrejta me Bashkimin Evropian si shtet sovran ose si pjesë e Sërbisë. Ky i fundit është një variant që vështirë se realizohet. A do të jetë Serbia gati të qendrojë jashtë Bashkimit Evropian deri sa Kosova të përmbushë kushtet për anëtarësim? Unë mendoj se jo. A do të anëtarësohet Serbia në Bashkimin Evropian duke patur Kosovën si pjesë të saj por pa patur autoritetin të negociojë në emër të saj? Mendoj se jo. Të gjitha këto do të diskutohen gjatë negociatave. Nuk e di se cili do të jetë rezultati i negociatave, por e di se Kosova duhet të jetë si gjithë pjesa tjetër e Ballkanit, anëtare e Bashkimit Evropian. Pra, Kosova duhet të jetë shtet sovran ose pjesë e një shteti sovran kur të hyjë në Bashkimin Evropian. Ky do të jetë një kusht për anëtarësim. Ka disa raste kur pjesë të shteteve janë lënë përkohësisht jashtë Bashkimit Evropian, si për shembull një pjesë e Qipros. Por askush nuk është i kënaqur me statusin e Qipros. Është shumë e vështirë të mendohet mënyra e hyrjes në Bashkimin Evropian e kësaj pjese të Qipros. Nuk mendoj se ky është një shembull që Brukseli kërkon të ndjekë në të ardhmen.

Unë mendoj se rruga e Kosovës është e qartë. Ajo do të arrijë atje si një shtet sovran ose si pjesë e një shteti sovran. Kjo do të vendoset gjatë negociatave.

Zëri i Amerikës: Krahas hartës ndoshta të re politike të rajonit të Ballkanit, si e parashikoni zhvillimin e dinamikës sociale në Kosovë? A është realisht i mundur pajtimi mes komuniteteve shqiptare dhe serbe?

Daniel Serwer: Ekziston një bazë e vogël pajtimi midis pak njerëzve. Mendoj se ka të rinj që shkojnë mirë me njëri-tjetrin, të cilët kanë organizuar aktivitete të rëndësishme së bashku, si fushatat kundës korrupsionit e të tjera. Por në përgjithësi është bërë shumë pak në këtë drejtim. Kufizimet e lëvizjes së lirë kanë qenë të mëdha. Serbia ka ndaluar kosovarët, të cilët i konsideron shtetas të saj, të hyjnë në Serbi, duke refuzuar të pranojë dokumente të Kombeve të Bashkuar ose targa makinash të OKB-së. E njejta gjë edhe në Kosovë. Këto janë kufizime tepër të rënda të lirisë së lëvizjes, që pengojnë marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve. Sipas mendimit tim ajo që kërkon Beogradi është që serbët të ndihen në territorin e tyre në Kosovë. Ata kërkojnë një ndarje etnike. Kjo është një zgjidhje që u provua dhe dështoi në Bosnjë dhe nuk mendoj se duhet të praktikohet përsëri.

Zëri i Amerikës: Cili do të ishte rezultati logjik i negociatave që do të pranohej nga të dy palët?

Daniel Serwer: Të gjithë përpiqen të më bëjnë të shpreh mendimin tim lidhur me rezultatin e negociatave. Nuk ka rëndësi se çfarë mendoj unë. Do të jetë një zgjidhje komplekse, me shumë marrëveshje dhe jo një status të vetëm. Probleme si shtetësia, kompensimi për rrogat dhe pensionet e prapambetura, borxhet tek banka botërore dhe një seri problemesh të tjera do të duhet të zgjidhen. Nuk do të çuditesha të shikoja disa institucione të përbashkëta midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova ndodhet në Ballkan, ka një pakicë serbe e cila duhet të lejohet të qendrojë atje dhe të ruajë kulturën dhe monumentet e saj. Ka mjaft raste në botë kur armiqtë e sotëm janë bërë miqtë më të ngushtë të së nesërmes.

XS
SM
MD
LG