Lidhje

Maqedoni: Vazhdojnë debatet për deklarimin e pasurive të zyrtarëve


Në Maqedoni po vazhdojnë debatet për deklarimin e pasurive të zyrtarëve të lartë shtetëror. Komisioni Shtetëror Antikorrupsion kërkoi që të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit të plotësojnë formularët për deklarimin e pasurive të tyre. Kryeministri Vllado Buçkovski bëri publike dje pasurinë e tij, vlera e së cilës është vetëm 170 mijë euro.

Komisioni shtetëror antikorrupsion ka shprehur pakënaqësi ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit, për shkak siç thuhet se shumica prej tyre nuk kanë plotësuar detyrimet ligjore për plotësimin e formularëve për deklarimin e pasurive.

Vetëm kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski publikoi dje pasurinë e tij, vlera e së cilës është vetëm 170 mijë euro.

Zyra e kryeminstrit njoftoi se zoti Buçkovski ka plotësuar formularin për deklarimin e pasurisë së tij, me qëllim të respektimit të rezolutës së parlamentit për luftën kundër korrupsionit.

Kryeministri ka tërhequr vëmendjen që shembullin e tij ta ndjekin edhe zyrtarët e tjerë shtetëror dhe udhëheqësit e partive politike në vend.

Ndërkohë, sipas komisionit antikorrupcion, mbi 80 zyrtarë të lartë të shtetit nuk kanë plotësuar formularët për deklarimin e pasurive të tyre.

Komisioni antikorrupsionit kritikoi organet e drejtësisë për mospërmbushjen e detyrimeve ligjore për ndjekjen e zyrtarëve shtetëror që nuk kanë deklaruar pasuritë e tyre.

Parlamenti maqedonas miratoi javën e kaluar një rezolutë për parandalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Opozita vlerësoi se përpjekjet e Qeverisë dhe institucioneve shtetërore për parandalimin e krimit të organizuar janë vetëm deklarative, ndërsa sipas tyre nuk ndërmerret asnjë operacion konkret për penguar këto aktivitete të paligjshme.

Opozita kërkoi gjithashtu që të gjithë zyrtarët e lartë shtetëror të deklarojnë pasuritë e tyre.

Organizata joqeveritare “Transparenca në Maqedoni” ka thënë në një raport të fundit se institucionet shtetërore janë joefikase në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

XS
SM
MD
LG