Lidhje

Aksione kundër krimit të organizuar në Evropë, pas vrasjes së një politikani italian


Dhjetra arrestime janë bërë kudo në Evropë në kuadrin e masave kundër krimit të organizuar pas vrasjes së një politikani në Kalabri të Italisë jugore. Ndërkohë, politikanët italianë po reagojnë ndaj një deklarate të bërë nga prokurori i ri i anti-mafias, sipas të cilit një nga bosët kryesorë mafiozë të vendit, i cili prej 40 vjetësh i ka shpëtuar drejtësisë, vazhdon të mbrohet nga politikanët dhe nga zyrtarët e policisë.

Policia italiane thotë se mbi 50 vetë në të gjithë Evropën janë arrestuar për trafik droge, në kuadrin e hetimeve rreth një rrjeti ndërkombëtar të kontrolluar nga ndrangheta me qendër në Kalabri.

Operacioni dyditor ka çuar në arrestime në Itali, Spanjë, Francë, Belgjikë, Holandë dhe Serbi e Mal të Zi. Nga kërkimet u sekuestruan më shumë se 45 kilogram kokainë.

“Për shumë vite me radhë, trafiku ndërkombëtar i kokainës është kontrolluar kryesisht nga organizata kriminale 'ndrangheta’”, thotë Komandanti i Policisë Gianpaolo Ganzer.

Autoritetet thonë se n'drangheta cilësohet sot si grupi më i rrezikshëm dhe më i fuqishëm i krimit në Itali, i cili ka zënë vendin e Mafias siciliane. Arrestimet u bënë si kundërpërgjigje ndaj vrasjes të dielën të nënkryetarit të qeverisë rajonale të Kalabrisë.

Hetimet rreth vrasjes së këtij politikani të qendrës së majtë vazhdojnë por mendohet se autore e vrasjes është 'ndrangeta.

Ministri i brendshëm italian Giuseppe Pisanu tha se po dërgon forca të tjera të specializuara në Kalabri.

"Ne e shohim 'ndranghetën si një shumëkombëshe të madhe të krimit e cila ka bazën e saj historike në Kalabri."

Ai shtoi se kjo nuk do të jetë thjesht një kundërgoditje e përkohshme por një angazhim që do të zgjasë deri sa kjo organizatë e krimit të jetë mposhtur.

Ndërkohë, politikanët reaguan ndaj komenteve të prokurorit të ri të antimafias Pietro Grasso, i cili tha se politikanë dhe zyrtarë të policisë vazhdojnë të mbrojnë bosin kryesor të mafias Bernardo Provenzano dhe se kjo është arësyeja që ai vazhdon t’i shpëtojë drejtësisë prej 4 dekadash.

“Zoti Grasso tha se njerëz të profesioneve të ndryshëm, politikanë, biznesmenë dhe zyrtarë policie vazhdojnë ta mbrojnë bosin e mafias duke lejuar që ai t’i shpëtojë drejtësisë”, tha zoti Grasso..

Ministri i Drejtësisë Roberto Castelli tha se prokurori i antimafias duhet të japë shpjegime për komentet e tij. Por zoti Grasso tha se në komentet e tij nuk kishte asgjë të re. Politikanët janë të ndarë midis atyre që mendojnë se deklaratat e prokurorit ishin të guximshme dhe atyre që thonë se kishin mbetur të habitur dhe kërkojnë sqarime për këto deklarata.

XS
SM
MD
LG