Lidhje

Uragani Vilma: Paralajmërim për pjesën jugore të Floridës


Paralajmërimet mbeten në fuqi për pjesë të Kubës, ishujt Bahamas dhe Floridën, ndërsa uragani Vilma përshkon gjirin juglindor të Meksikës.

Paralajmërimi për gadishullin Jukatan të Meksikës u ndërpre sot, ndërsa stuhia u largua, pasi goditi pjesën turistike të gadishullit me erëra të forta dhe shira të rrëmbyer që zgjatën dy ditë.

Qendra Kombëtare e uraganëve në Shtetet e Bashkuara thotë se Vilma do të kapërcesjë sot bregun veriperëndimor të Kubës, do të fitojë më shumë shpejtësi dhe do të mbërrijë në Florida nesër.

Si në Kubën perëndimore, ashtu edhe në Floridën Jugore kanë filluar shirat që i paraprijnë stuhisë. Zyrtarët në Florida i kanë urdhëruar banorët të evakuojnë zonat që mund të përmbyten, megjithëse sipas njoftimeve të sotme pak vetë po largohen nga shtëpitë.

Qendra e uraganëve thotë se Vilma vazhdon të jetë një stuhi e kategorisë së dytë me erëra deri 160 kilometra në orë, por mund të fuqizohet sot.

Të paktën 19 vetë kanë gjetur vdekjen nga stuhia, mes të cilëve të paktën gjashtë në Jukatan.

Stuhia tropikale Alpha është zbutur që kur preku tokën

Stuhia tjetër tropikale Alpha është zbutur, që kur preku sot tokën në Republikën Domenikane.

Qendra Kombëtare e Uraganëve në Shtetet e Bashkuara thotë se shpejtësia e erërave të stuhisë ka rënë në 55 kilometra në orë, nga 85 kilometra në orë që ishte në të gdhirë.

Qendra paralajmëron se stuhia ende mund të shkaktojë përmbytje që mund të rrezikojnë jetën dhe rrëshqitje dheu në territorin domenikan dhe në Haitin fqinjë.

Ajo thotë se Alpha mund të fuqizohet përsëri, nëse vazhdon rrugën e parashikuar drejt veriut drejt ishujve Bahamas.

Alpha është stuhia e 22-të e sezonit të uraganëve të Atlantikut, duke thyer rekordin e mëparshëm të vitit 1933. Metereologët i përdorën të gjithë emrat për listën e këtij viti dhe filluan emërimin e stuhive sipas alfabetit grek.

Paralajmërimet për stuhi mbeten në fuqi për pjesën juglindore të ishujve Bahamas dhe ishujve Turks dhe Caicos.

XS
SM
MD
LG