Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Britania bëjnë thirrje për marrjen e masave kundër Sirisë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice dhe Sekretari i Jashtëm Britanik Jack Straw bënë thirrje për një qëndrim të vendosur kundër Sirisë, pas një raporti të OKB-së që implikon zyrtarë sirianë në vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri.

Zonja Rice thotë se raporti i OKB-së tregon se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë me vendosmëri. Në një intervistë që i dha BBC-së së bashku me zonjën Rice, zoti Straw shtoi se ka të dhëna që zyrtarët sirianë u dhanë dëshmi të rreme hetuesve të OKB-së.

Në raport thuhet se Siria nuk ka bashkëpunuar plotësisht me hetimet. Zyrtarët sirianë thonë se raporti i OKB-së është i pabazë.

Ndërkohë një nga politikanët më të njohur anti-sirianë në Liban, Druze Walid Jumblatt po ashtu mbështeti kërkesën e djalit të zotit Hariri që personat përgjegjës për atentatin e muajit shkurt të dalin para një gjykate ndërkombëtare. Ai i bëri thirrje Sirisë të bashkëpunojë me hetimet e OKB-së rreth vrasjes së ish Kryeministrit të Libanit Rafik Hariri.

Ndërsa policia në Liban arrestoi Mahmud Abdel-Alin, personin që sipas raportit të OKB-së i telefonoi Presidentit pro-sirian të Libanit Emile Lahud, disa minuta para vrasjes së zotit Hariri. Një zëdhënës i zotit Lahud e mohoi me forcë që presidenti kishte patur kontakt me Mahmud Abdel Alin.

XS
SM
MD
LG