Lidhje

Shqipëria thotë se procesi i statusit të Kosovës nuk duhet të tejzgjatet


Në Shqipëri kryeministri Sali Berisha deklaroi se procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës nuk duhet të tejzgjatet pasi kjo nuk do të ishte e mirë për stabilitetin e rajonit. Këto komente zoti i Berisha i bëri në përfundim të takimit me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi. Ai theksoi se Shqipëria mbështet pavarësinë si një shprehje të vullnetit të popullit të Kosovës.

Në të njejtën kohë që në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara niste mbledhja për hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës, në Tiranë kryeministri Sali Berisha takohej me homologun e tij nga Prishtina Bajram Kosumi. Një takim i zhvilluar në një moment kyç për të ardhmen e Kosovës dhe kur qëndrimet për këtë cështje tashmë janë përvijuar qartazi në mbështetje të pavarësisë.

Kryeministri Berisha përsëriti thirrjen për nevojën e garantimit të standarteve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe për pakicat, ndërkohë që konsideroi po kaq të rëndësishëm dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit:

"Konsiderojmë të domosdoshme përpjekjet e mëdha për klthimin e refugjatëve në Kosovë si dhe dialogun Prishtinë Beograd për të gjitha problemet e tjera përvec statusit, jo se do e konsideronim tabu’çështjen e statusit por sepse nuk ekziston realizëm për fat të keq në Beograd për këtë çështje dhe ky probvlem mbetet për t’u zgjidhur mes autoriteteve të Kosovës dhe grupit të Kontaktit".

Kryeministri i Kosovës tha se Kosova synon të jetë një shtet demokratik ku respektohen të drejtat e barabarta të të gjithë qytetarëve:

"Ne do të garantojmë mbrojtje e çdo qytetari të Kosovës. Do të thotë edhe mbrojtjen e të drejtave kolektive të pakicave kombëtare në çfarëdo kohe dhe në çfarëdo rrethane. Ne po synojmë të krijojmë të ndërtojmë një shtet demokratik dhe kjo parakupton mrojtjen e të drejtave të plota të çdo qytetari të atij vendi. Unë besoj fuqimisht se në qershor të 2006 do të përfundojnë bisedat për statusin final dhe Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran si të gjitha shtetet e tjera".

Edhe kryeministri Berisha u shpreh se procesi i përcaktimit të statusit nuk duhet të tejzgjatet:

"Procesi i statusit nuk duhet të jetë një proces i stërzgjatur, pasi në gjykimin tim fluiditeti i faktorit shqiptar duhet të marrë fund dhe nuk është në interes të stabilitetit të rajonit, kështu që uroj që fryma e bashkëpunimit të mbizotërojë dhe të arrihet në përcaktimin e statusit përfundimatar në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës".

Në fillim të muajit nëntor në Prishtinë do të mblidhen kryeministrat e Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Kryeministri Kosumi deklaroi se uronte që shumë shpejt kësaj nismeje për paqen dhe stabilitetin në rajon t’i bashkangjitej dhe Beogradi.

XS
SM
MD
LG