Lidhje

Ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, ndërmjetës i bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës


Këshilli i Sigurimit vendosi të hënën të mbështesë propozimin për fillimin e negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës. Ndërkohë dy të dërguar të OKB-së theksuan se bisedimet do të ndeshen me pengesa tepër të vështira.

Nga ana e tij Kryeminsitri i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit, përjashtoi çdo zgjidhje që do të sillte si rezultat pavarësinë e Kosovës. Ai tha se Serbia nuk do të tolerojë asnjë vendim të imponuar nga jashtë, që do të prekte sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vendit. “Për ne është e pakonceptueshme, ashtu siç besoj është edhe për anëtarët e tjerë të këtij Këshilli, se vendeve demokratike mund t’u imponohen zgjidhje kundër vullnetit të tyre. Çdo përpjekje për të imponuar zgjidhje të tilla përmes ligjerimit de fakto të ndarjes së Serbisë që mund të arrihet përmes shkëputjes me forcë të një pjese të territorit të saj, do të ishte jo vetëm dhunë ligjore ndaj një shteti demokratik, por edhe kundër vetë ligjit ndërkombëtar.”

I ndërgjegjshëm për natyrën delikate të bisedimeve, Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Anan, tha të hënën se do të emërojë së shpejti, një negociator me përvojë, ish-presidentin e Finlandës, Marti Ahtisari, për të ndërmjetësuar.

Vendimi për emërimin e një ndërmjetësi, u mor pasi i dërguari i posaçëm i zotit Anan për rajonin, diplomati norvegjez, Kai Eide, propozoi në fillim të muajit fillimin e bisedimeve. Në rekomandimet e tij, zoti Eide e pranon se përparimi ka qënë i vogël për zbatimin e standarteve demokratike që komuniteti ndërkombëtar i caktoi Kosovës si kusht për hapjen e negociatave.

Por diplomatët e OKB-së e pranojnë se, si në Beograd, edhe në Prishtinë, ekziston dëshira e njëjtë që procesi duhet të përparojë.

Pas informimit të Këshillit të Sigurimit, zoti Eide theksoi se suksesi i negociatave nuk do të jetë i lehtë. “Është më se e qartë se të dyja palët po vijnë në këtë proces me qëndrime diametralisht të kundërta. Do të jetë një proces shumë i vështirë. Por është e rëndësishme që të gjitha palët të marrin pjesë në proces dhe të përpiqemi jo vetëm t’i mbajmë në proces, por edhe të arrijmë përparim.”

Dhe, si për të ilustruar se sa të thella janë mosmarrëveshjet, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen tha se bisedimet fillimisht do të kryhen përmes asaj që njihet si diplomacia e ecejakeve, gjatë së cilës ndërmjetësi do të takohet me palët veçmas. Bisedimet e drejtëpërdrejta mes palëve do të fillojnë vetëm kur të arrihet një farë përparimi. “Sado të jetë e dëshirueshme që delegacionet e të dyja palëve të ulen përballë njera tjetrës në tryezë dhe të fillojnë të bien dakort për statusin, kjo nuk është realiste të ndodhë. Ekziston nevoja që ndërmjetësi të takohet veçmas me palët, të krijojë një ide më të mirë për qëndirmet e tyre, të shohë se ku ka vend për fleksibilitet dhe mbi këtë bazë të hartojë një kornizë negociatash.”

Zoti Anan tha se caktimi i zotit Ahtisari si negociator për çështjen e statusit, mund të bëhet brenda disa ditësh. Bisedimet për të ardhmen e Kosovës pritet të fillojnë muajin e ardhshëm. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të emërojnë një të dërguar të posaçëm për bisedimet. //az//

XS
SM
MD
LG