Lidhje

Kadare: Pavarësia e Kosovës - një kompromis për shqiptarët


Vendimi i Këshillit të Sigurimit për fillimin e negociatave për statusin e Kosovës është një shans i ri për shqiptarët, për serbët dhe për Ballkanin në përgjithësi. Por procesi i negociatave do të shoqërohet edhe me sfida të shumta dhe me siguri që do të kërkojë kompromise nga të dyja palët. Për të folur mbi këto shanse dhe sfida, Zëri i Amerikës intervistoi nga Parisi shkrimtarin Ismail Kadare:

Zëri i Amerikës: Zoti Kadare, si e vlerësoni vendimin e Këshillit të Sigurimit për fillimin e bisedimeve për zgjidhjen e statusit te Kosoves?

Ismail Kadare: Po unë kam pak a shumë atë vlerësim që ndodh këto ditë për shumicën e shqiptarëve. Këto ditë përdoret fjala ”historike”si fjala më e shpeshtë dhe me të vërtetë kjo është historike. As që mund të përfytyrohej 10 vjet përpara, 20, 30, 70 vjet përpara një gjë e tillë, pra është një ngjarje e jashtëzakonshme, ndonëse përpara është një rrugë prapë e vështirë, por ngjarja është e jahstëzakonshme, e papërfytyrueshme, ndodh një herë në shekull; u hap më në fund drita e blertë për statusin, për pavarësinë e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Sa i vështirë mendoni se do të jetë procesi i bisedimeve, kur dihen qëndrimet diametralisht të kundërta të palës serbe dhe asaj shqiptare?

Ismail Kadare: Natyrisht, bisedimet do të jenë të vështira. Ne jemi ende në Ballkan dhe ai ende nuk ka ndryshuar. Ballkani do të ndryshojë shumë ngadalë dhe në këtë gadishull, bisedimet janë më të vështira se kudo. E megjithatë, bisedimet janë më mirë se ndërprerja e tyre; gjithmonë janë më mirë dhe asnjëherë nuk janë më keq, kështu që shqiptarë dhe serbë bashkë, kanë shansin ta prishin këtë traditë të vjetër dhe të keqe ballkanike dhe me vështirësi, aq sa munden, natyrisht, nën trysninë dhe praninë ndërkombëtare, mendoj diçka do të arrihet nga ky dialog.

Zëri i Amerikës: Ju keni qenë kritik ndaj politikës shqiptare në Shqipëri e Kosovë për mungesë uniteti në marrjen e vendimeve të rëndësishme. Sa mendoni ju se e dëmtojne këto veprime procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës?

Ismail Kadare: Unë mendoj se nuk kam qenë vetëm unë kritik. Përgjithësisht, të gjithë shqiptarët kanë qenë kritikë dhe përgjithësisht, për çdo vend të botës, kur nuk ka unitet mendimi në majat e shtetit, natyrisht, kjo gjë nuk miratohet në publik dhe nga populli në përgjithësi. Kështu që për fat të keq, kjo është një sëmundje tradicionale në Shqipëri dhe në Ballkan; për fat të keq, nuk është e re dhe është e njohur përçarja, mosmarrëveshjet shqiptare. Kohët e fundit, të gjithë kemi qenë deshimtarë kur pati lëkundje mendimesh, ose ndryshime nuancash, bile edhe thelbi disa herë, në lidhje me statusin e Kosovës; ndryshe janë shprehur presidencat, ndryshe ekzekutivi, me një fjalë, ajo sëmundje e vjetër, siç thashë, kur pasionet partiake, nganjëherë përpiqen të zotërojnë mbi mendimin institucional shtetëror. Unë shpresoj që kjo do të jetë një fazë që do të kapërcehet dhe bashkë me sëmundjet e tjera që kemi për fat të keq, kronike ne shqiptarët, ngjarjet do të na mësojnë, se duhet të jemi bashkë, atëhere kur duhet qenë bashkë, me çdo kusht.

Zëri i Amerikës: Një pjesë e zyrtarëve ndërkombetarë kanë kërkuar nga pala shqiptare kompromis për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Cili mendoni ju duhet të jetë ky kompromis?

Ismail Kadare: Po përdoret shumë fjala kompromis këto kohët e fundit dhe unë jam për kompromis, kur ai duhet, natyrisht, sepse një pjesë e historisë është zgjidhur, ose ka përparuar edhe përmes kompromisit. Por kam përshtypjen që në këtë rast harrohet diçka si të thuash, ose përmendet shkarazi rrallë që shqiptarët e kanë filluar këtë aksion të madh, këtë çështje të statusit të Kosovës, këtë aksion historik, me një kompromis, që do të jetë çmuar, mendoj nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe ky kompromis është jo i vogël, ky kompromis është thelbësor, është i madh. Fakti që shqiptarët si në Shqipëri, si në Kosovë, janë tërhequr nga çdo ide për t’u bashkuar Kosova me Shqipërinë, dhe këtë e kanë bërë sinqerisht, në mënyrë të ndershme, pa dredhi, me moral të dyfishtë, por e kanë bërë drejtpërdrejt, ky është një kompromis i madh, sepse nuk është normale, natyrale për një popull të kërkojë të jetojë veç, përkundrazi, natyrale është të kërkojë të jetojë bashkë. E megjithatë, shqiptarët të ndërgjegjshëm, duke ditur se kjo gjë e ndërlikon jashtëzakonisht historinë e Ballkanit dhe të Evropës, se kjo gjë është gati e pamundur në kushtet e sotme, ata në mënyrë të tillë, pra të ndershme dhe fisnike e bënë këtë flijim në altarin e Evropës dhe po e perseris, kjo duhet çmuar. Pra, kjo histori e shqiptarëve në prag të statusit, ka filluar me një kompromis. Tani kërkohen të tjera kompromise. Nuk jam kundër, po e përsëris, edhe për kompromise të tjera. Ajo që është përmendur kohët e fundit dhe që ka zgjuar reagime me të drejtë, mendoj unë, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, është përmendja e fjalës “Pavarësi e Kushtëzuar”. Kjo mendoj se është një kërkesë e rëndë për një popull, varet se si kërkohet. Për të mos patur asnjë keqkuptim, unë po theksoj se respektimi i pakicës serbe prej shqiptarëve është një ligj absolut që duhet të hyjë në jetën e tyre si një ligj i shenjtë. Këtu nuk mund të ketë asnjë lëkundje, asnjë dilemë. Një popull që nuk respekton pakicat, është një popull që i ve një njollë të rëndë morale historisë së tij. Vetë populli shqiptar në qoftë se e bën këtë, ai meriton të quhet i tillë: me moral, me njollë të zezë, unë nuk kam këtu asnjë rezervë. Por nga ana tjetër theksoj se ky është një kusht për të gjithë vendet e Evropës, për të gjitha vendet e qytetëruara dhe për të gjitha vendet. Prandaj, është shumë e rëndë që ky kusht të lidhet me pavarësinë e një vendi, sepse pavarësia është liria; sepse pavarësi me kusht do të thotë liri me kusht, do të thotë një pavarësi që merret prapë, një liri që merret prapë; si ai i burgosuri kur del nga burgu dhe i thonë: “Zotëri, ti do të kthehesh prapë këtu, në se nuk bën këtë dhe atë kusht”! Prandaj, unë jam për nderimin me çdo kusht të pakicës serbe, të çdo pakice, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, por jo që kjo të kushtëzohet në një formulim të tillë, që dashur pa dashur e prek parimin universal të lirisë; dashur pa dashur, e ve popullin shqiptar në një status jo normal, sepse kjo sjellje, siç thashë ky nderim i minoriteteve, i pakicave, është në normalitetin e çdo vendi evropian. Vetë prania e trupave ndërkombëtare për një kohë që do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë edhe pas pavarësisë, është një tjetër kompromis, është një gjë speciale, që do të thotë që kjo pavarësi është kaq klasike sa ç’memdohet, megjithatë, me përjashtim të këtij formulimi, që është “Pavarësi e kushtëzuar”.

Zëri i Amerikës: Çfarë ndikimi do të kishte një Kosovë e pavarur në rrjedhat demokratike evropiane e ballkanike?

Ismail Kadare: Jam absolutiosht i bindur dhe mendoj se të gjithë do të binden dalëngadalë se kjo do të ndihmojë në harmoninë në gadishullin ballkanik dhe harmoninë në Evropë, sepse jam i bindur se shqiptarët do të tregohen të denjë, ata do të kenë mirënjohje për këtë besim që bashkësia ndërkombëtare dje e shfaqi dhe i hapi dritën jeshile për pavarësinë e tyre dhe do të dinë ta shpërblejnë me dinjitet këtë gjë. Dhe kjo jo sepse do ta bëjmë ne këtë gjë, të jemi në harmoni me Evropën dhe me aleatët tanë të mëdhenj perëndimorë me në krye Shtetet e Bashkuara e të tjerë; jo sepse duhet të lenë përshtypje të mirë, por sepse kështu e kërkon interesi themelor i kombit shqiptar. Është interesi i ekzistencës sonë, është jeta jonë, ne nuk mund të kemi jetë jashtë harmonisë me popujt e Evropës, nuk mund të kemi jetë jashtë harmonisë me fqinjët tanë ballkanikë, dhe nuk mund të kemi jetë jashtë kësaj aleance që është krijuar sot, në luftën kundër terrorizmit botëror. Pra, të gjitha këto janë harmonikisht të lidhura, janë koherente dhe çojnë të gjitha në një harmoni më të madhe, që është liria e popullit shqiptar në Ballkan.

XS
SM
MD
LG