Lidhje

Uragani Vilma shton fuqinë duke kërcënuar zonat nga mund të kalojë


Shërbimi Kombëtar Metereologjik njofton se uragani Vilma po forcohet përsëri me erëra deri në 200 kilometra në orë, duke lëvizur me shpejtësi përgjatë brigjeve lindore të Amerikës. Stuhia kaloi të hënën përmes Floridës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 4 vetëve.

Uragani ka shkaktuar përmbytje, ka rrëzuar pemë dhe shtylla tensioni duke lënë mbi 3 milionë shtëpi pa energji elektrike.

Ndërkohë metereologët thonë se stuhia tjetër tropikale Alfa, po lëviz drejt brigjeve lindore dhe pritet të bashkohet me uraganin Vilma gjatë 10 orëve të ardhshme. Të dy stuhitë pritet të shkaktojnë shira të shumtë dhe përmbytje përgjatë qyteteve bregdetare.

Ndërkohë Presidenti i Meksikës, Visente Foks, u zotua të dërgojë autobuzë për të shpëtuar mijëra turistë të bllokuar në pikat turistike përgjatë gadishullit Jukatan që u godit rëndë nga uragani Vilma. Presidenti Fox shkoi vetë për vizitë në qytetin turistik, Kankun, ku stuhia shkatërroi hotele luksoze, ndërsa pas saj, qendrat tregëtare u boshatisën nga grabitësit.

Zoti Fox tha se aeroporti i Kankunit mund të hapet të martën.

Rreth 30 mijë turistë ka katër ditë që qëndrojnë të bllokuar në strehime të mbipopulluara në Kankun dhe qytetet e tjera turistike. Stuhia shkaktoi të paktën 7 viktima në Meksikë. //az//

XS
SM
MD
LG