Lidhje

Senati amerikan nderon kujtimin e 2 mijë trupave që kanë humbur jetën në Irak


Senati amerikan nderoi dje gjatë një sesioni të veçantë, 2 mijë trupat amerikane që kanë humbur jetën në Irak. Por siç njofton korrespondentja jonë Deborah Tate, disa senatorë demokratë të opozitës e shfrytëzuan rastin për të kritikuar politikën e administratës së Presidentit Bush për Irakun.

Senati mbajti mbrëmë një minutë heshtje në nderim të ushtarëve amerikanë që kanë humbur jetën në Irak që nga fillimi i luftës në vitin 2003.

Kryetari i shumicës republikane, senatori Bill Friest tha se këta ushtarë sakrifikuan jetën e tyre për kauzën e lirisë.

“Ishte vendosmëria e tyre që Sadam Huseini tani ka dalë në gjyq, ishte kurajoja e tyre që populli irakian po ushtron të drejtën e vetë-qeverisjes dhe sot për shkak të trimërisë së tyre, Iraku ka një kushtetutë të re, një ngjarje historike kjo në rrugën drejt lirisë dhe luftën kundër terrorizmit.”

Senatori Frist i bëri këto komente pak kohë pasi Pentagoni njoftoi për vdekjen e reshterit Xhorxh Aleksandër, si paosjë e plagëve të mara nga shpërthimi i një bombe anës rrugës në qytetin e Samarës javën e kaluar. Ai ishte ushtari i dy mijtë amerikan që humb jetën në Irak.

Nderim për trupat shprehu edhe udhëheqësi i demokratëve të opozitës në Senat, Harry Reid.

“Të gjithë ne, në një mënyrë a një tjetër, jemi ndikuar nga vdekja e dy mijë ushtarëve në Irak.”

Vetëm disa orë para njoftimit të Pentagonit, Presidenti Bush tha se lufta në Irak do të kërkojë sakrifica të tjera. Askush, tha presidenti, nuk duhet t’i nënvleftësojë vështirësitë në të ardhmen. Po ashtu ai iu kundërvu kritikëve që thonë se Shtetet e Bashkaura duhet të tërheqin trupat nga Iraku.

Një prej këtyre kritikëve është Senatori demokrat Russ Feingold, i cili ka bërë thirrje që trupat amerikane të largohen nga Iraku deri në fund të vitit. Senatori foli pak pas fjalimit të presidentit.

“Për mua po bëhet gjithnjë e më e qartë se ne kemi krijuar kushtet për lulëzimin e terrorizmit në Irak dhe se prania pa afat e dhjetra mijëra trupave në atje, po e ndez më tej dhe nuk po e shuan kryengritjen në Irak.”

Një senator tjetër demokrat, Patrick Leahy u shpreh kundër idesë së presidentit për të mos e ndryshuar qëndirmin ndaj Irakut. Senatori Leahy i bpëri thirrje presidentit të konsultohet me Kongresin për të hartuar një plan për tërheqjen e trupave nga zonat e populluara në Irak, pas formimit atje të qeverisë.

Senatori republikan John McCain, ish i burgosur lufte në Vietnam, i kritikoi ashpër kolegët e tij demokratë që shfrytëzuan momentin e trishtueshëm kur numri i viktimave mes ushtarëve amerikanë arriti në 2 mijë për të kritikuar administratën për Irakun.

“Do të uroja që sakrificat e bëra nga të rinjtë amerikanë në Irak të mos shfrytëzoheshin për qëllime politike. Ka plot raste të tjera për të kritikuar luftën, dhe do të uroja që humbja e jetës së ushtarëve të rinj amerikanë, të mos jetë një prej tyre.”

Debati në Senat po bëhet në një kohë që mbështetja e publikut për luftën në Irak ka rënë.

XS
SM
MD
LG