Lidhje

SHBA: Siria të bashkëpunojë në hetimet rreth vrasjes së zotit Hariri


Shtetet e Bashkuara thonë se Siria duhet të bashkëpunojë me hetimet e OKB-së lidhur me vrasjen e ish-Kryeministrit libanez Rafik Hariri, ose në rast të kundërt, Washingtoni do të shqyrtojë mundësinë e masave të tjera ndaj Damaskut.

Në fjalimin që mbajti sot në Kombet e Bashkuara, ambasadori amerikan John Bolton tha se Washingtoni po bashkëpunon me Britaninë dhe Francën për një rezolutë që kërkon ndërmarrjen e sanksioneve vetëm ndaj individëve që dyshohen se janë implikuar në vrasje.

Por ai nuk e përjashtoi mundësinë e marrjes së masave të tjera ndaj Sirisë, në se ajo nuk bashkëpunon për këtë çështje.

Ai shtoi se nëse grupi i hetuesve që drejtohet nga prokurori gjerman Detlev Mehlis e sheh të nevojshme të marrë në pyetje presidentin sirian Bashar al-Assad lidhur me vrasjen, ky i fundit duhet të bashkëpunojë.

Raporti i zotit Mehlis, që u publikua javën e kaluar, arriti në përfundimin se në vrasjen e zotit Hariri janë implikuar zyrtarë të lartë sirianë dhe libanezë.

Rusia, e cila ka të drejtën vetos në Këshillin e Sigurimit thotë se do ta kundërshtonte vendosjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Edhe Lidhja Arabe i kundërshtoi sanksionet, duke thënë se ato nuk duhet të bazohen tek një hetim që nuk ka përfunduar.

XS
SM
MD
LG