Lidhje

Shtetet e Bashkuara i kërkojnë presidentit sirian t’u përgjigjet pyetjeve rreth vrasjes së ish-kryeministrit libanez


Ambasadori amerikan në OKB i bëri thirrje presidentit të Sirisë t’u përgjigjet pyetjeve rreth vrasjes së ish kryeministrit libanez, Refik Hariri. Këshilli i Sigurimit po debaton rreth një propozimi që kërcënon vendosjen e sanksioneve ndaj çdo kujt që kundërshton të bashkëpunojë me procesin hetimor në lidhje me vrasjen e zotit Hariri.

Këshilli i Sigurimit ka planifikuar për të hënën një takim të nivelit ministror për të shqyrtuar një masë të ashpër që ka për synim të detyrojë zyrtarë të lartë sirianë të bashkëpunojnë me një proces hetimor të OKB-së lidhur me shpërthimin e makinës bombë që shkaktoi vdekjen e zotit Hariri.

Masa kërcënon vendosjen e sanksioneve ndaj çdo kujt që kundërshton të bashkëpunojë. Sanksionet përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe blllokimin e pasurive.

Ambasadori amerikan në OKB, Xhon Bolton, thotë se kjo masë duhet të përfshijë të gjithë zyrtarët sirianë, edhe vetë Presidentin Bashar al-Asad:

“Absolutisht duhet të prëfshihet presidenti i Sirisë. Asnjë person, theksoi zoti Bolton, nuk është mbi ligjin dhe presidenti ka pasur kohë të flasë me të gjitha mjetet e informimit dhe nëse ai ka pasur kohë ta bëjë një gjë të tillë, ai ka kohë të flasë edhe me komisionerin Mehlis.”

Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara vunë në qarkullim një projektrezolutë të martën, pasi prokurori gjerman, Detlev Mehlis, u ankua se zyrtarët sirianë nuk kishn pranuar të bashkëpunojnë dhe në shumicën e rasteve kishin penguar procesin zyrtar hetimor të OKB-së.

Por, disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, përfshirë vendet me të drejtën e vetos, Rusinë e Kinën, e kanë pritur ftohtë sugjerimin për çdo kërcënim për vendosjen e sanksioneve. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme ruse tha dje se Moska do të bëjë ç’është e nevojshme për të parandaluar përpjekjet për marrjen e masave të tilla.

Ambasadori i Kinsë në OKB, Ueng Guang-ja i tha Zërit të Amerikës se projektrezoluta para Këshillit të Sigurimit shkon përtej thirrjes për bashkëpunimin e Sirisë. Unë, mendoj, tha diplomati kinez, se kjo është një masë tepër e ashpër dhe nuk mund të pranohet tani.

Ambasadori Abdallah Bali i Algjerisë, i vetmi vend arab në Këshillin e Sigurimit, tha se asnjë rezolutë nuk duhet të tejkalojë kërkesën për bashkëpunimin sirian.

Ambasadori i Sirisë në OKB-, Fajsal Mekdad, hodhi poshtë dje vlerësimet se Presidenti Asad po kundërshton bashkëpunimin me procesin hetimor rreth vrasjes së zotit Hariri. Ai vuri në dukje se udhëheqësi sirian ka dënuar me forcë vrasjen:

“Presidenti Asad, tha ai, është udhëheqësi i Sirisë, ai nuk ka duruar kurrë veprime të tilla kriminale dhe është shprehur në disa rste se personat që kanë kryer atë krim, nëse janë sirianë apo jo, janë tradhtarë dhe duhet të sillen para drejtësisë.”

Ndërkohë, një i dërguar i OKB-së njoftoi dje se grupe palestineze në Liban po marrin armë nga Siria në kundërshtim me një rezolutë të Këshillit të Sigurimit. I dërguari, diplomati norvegjez, Terje Roed-Larsen, tha se përpjekjet libaneze për të ndaluar vërshimin e armëve nuk kanë pasur rezultate konkrete.

Ambasadori sirian hodhi poshtë raportin e zotit Roed-Larsen, duke thënë se shkelje të tilla do të ishin të papranueshme për Damaskun. Zoti Mekdad tha se Siria ka vepruar në përputhje të plotë me dispozitat e rezolutës së Këshillit të Sigurimit që kërkojnë tërheqjen e plotë të forcave të huaja nga Libani.

XS
SM
MD
LG