Lidhje

Mustafaj: Tirana - e vendosur për pavarësinë e Kosovës

  • Intervistoi: Konda

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj bisedoi me udhëheqësit e Bashkimit Evropian, ku mes të tjerash diskutoi edhe për Kosovën. Me këtë rast, Zëri i Amerikës i mori një intervistë të drejtpërdrejtë nga Brukseli ministrit Mustafaj:

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, Tirana po lëkundet shpesh në përkufizimin për statusin e ardhshëm të Kosovës, mes pavarësisë dhe termit “pavarësi e kushtëzuar”. Pse diplomacia shqiptare këmbëngul në përdorimin e këtij përkufizimi?

Besnik Mustafaj: Së pari dua të sqaroj për teleshikuesit tuaj se Tirana nuk lëkundet, nuk është lëkundur dhe nuk do të lëkundet aspak në përcaktimin e pavarësisë. Pavarësia është e palëkundshme. Modalitetet e realizimit të kësaj pavarësie janë modalitete që ne i kemi konkluduar në përputhje edhe me faktorët ndërkombëtarë, me ata që do të vendosin për të ardhmen e Kosovës dhe që për ne shprehin atë shqetësim thelbësor që kemi ne, që të fillohen negociatat dhe të konkludohen negociata me përcaktimin e pakthyeshëm prapa të pavarësisë. Pra, në të gjithë elementët e tjerë, janë elemente modalitetesh dhe elemente shoqërimi të kësaj pavarësie dhe që nuk cënojnë thelbin. Çdo tentativë për ta devijuar prononcimin tonë në shërbim të pavarësisë, në fakt është ose keqkuptim, ose nga njerëz që nuk njohin eksperiencën historike. Mjafton të shohësh ekperiencën e Austrisë, për shembull, e cila është ndërtuar mbi bazën e këtij koncepti pas Luftës së Dytë Botërore, për të kuptuar se ky(lexo: koncept) çon drejt dinjitetit, drejt pavarësisë, drejt integirmi, drejt sovranitetit të plotë. Nuk ka asnjë lëkundje në këtë mes.

Zëri i Amerikës: Gjatë këtyre ditëve ju keni patur takime me përfqaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, ku me siguri keni folur edhe për Kosovën. Si mund të ndihmojë Shqipëria në procesin e bisedimeve?

Bensik Mustafaj: Shqipëria është e vendosur që në këtë proces të luajë një rol të profilit të lartë, të jetë prezente në të gjitha debatet që bën komuniteti ndërkombëtar. Shqipëria nuk mund të jetë aktor në tryezën e negociatave për arsye që dihen, por do të jetë aktive në të gjithë porcesin. Ky është përcaktimi ynë. Fakti që unë si Minsitër i Jashtëm i Shqipërisë isha në Bruksel pikërisht ditën që u mblodh Këshilli i Sigurimit, nuk është një koinçidencë e rastit, por është shprehje e një akordimi të plotë që kemi ne dhe një roli që ne po e marrim edhe në përputhje me angazhimet që ne kemi para faktorëve të rëndësishëm, siç janë Bashkimi Evropian dhe NATO dhe gjithëshka nënkuptojnë këto organizata të mëdha për Kosovën dhe për rajonin në përgjithësi. Ne do të intensifikojmë bashkëpunimin me qeverinë dhe insitucionet e tjera të Kosovës në këtë periudhë, do të intensifikojmë kontaktet tona me ndërkombëtarët në këtë periudhë, jemi gati të intensifikojmë bashkëpunimin tonë me Beogradin në këtë periudhë; sepse unë jam i bindur se nuk është e drejtë që marrëdhëniet midis Tiranës dhe Beogradit të përcaktohen nga një vend i tretë, siç është Kosova. Ne jemi dy vende që kemi nevojë të bashkëpunojmë dhe rajoni ka nevojë për bashkëpunimin tonë. Pra, i kemi të gjitha pistat e hapura. Ne do të përpiqemi të bëjmë një politikë dhe një diplomaci pa komplekse, në shërbim të atyre pikësynimeve që kemi ne edhe për të ndihmuar në zgjidhjen e statusit të Kosovës, edhe për të ndihmuar në paqen dhe stabilitetin në rajon.

Zëri i Amerikës: Zoti Mustafaj, praktikisht mbyllja e bisedimeve me Bashkimin Evropian është tashmë një proces që po shkon drejt fundit. Megjithatë, Komisioni Evropian ka kërkuar shpjegime për disa nga masat dhe ndryshimet që ka bërë qeveria juaj. Sa e prirur është qeveria që t’ua përshtasë ndërhyrjet e saj kërkesave të Bashkimit Evropian?

Besnik Mustafaj: Unë takova zyrtarë shumë të lartë të Bashkimit Evropian, si Solanën, apo zyrtarë shumë të lartë të Komisionit Evropian, siç ishte rasti i komisionerit Olli Rhen. Pra, unë ju siguroj ju për gjë: që jo vetëm programi i deklaruar i qeverisë sonë, por edhe reformat e filluara në Tiranë, kanë mirëkuptim të plotë edhe mbështetje të plotë nga këto struktura të rëndësishme; dhe Bashkimi Evropian nuk përdor ndaj Shqipërisë standarte të tjera, veç atyre parimore që kanë të bëjnë me përmirësimin e situatës në Shqipëri; dhe vullneti ynë përputhet me standartet që ka Brukseli. Pra, nuk ka asnjë vend për keqkuptim, nuk ka asnjë hapësirë për kundërthënie midis njëri-tjetrit. Deri tani, unë e pohoj me kënaqësi të veçantë përpara jush dhe përpara teleshikuesve tuaj se jemi në të njëtjën gjatësi vale me Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG