Lidhje

Kryeministri i Maqedonisë shpreh besimin se Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë marrëveshje për pavarësinë e Kosovës


Kryeministri maqedonas, Vllado Buçkovski, i cili ndodhet në Washington për bisedime me Presidentin Bush dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, thotë se beson që Prishtina dhe Beogradi do të arrijnë marrëveshjen për pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Zoti Buçkovski e bëri këtë koment gjatë një konference shtypi në studiot e Zërit të Amerikës:

Në prag të fillimit të negociatave mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, kryeministri maqedonas shprehu besimin se udhëheqësit e Serbisë dhe të Kosovës do ta arrijnë marrëveshjen brenda vitit të ardhshëm:

“Unë parashikoj, tha udhëheqësi maqedonas, se bisedimet do të jenë të vështira. Por, nga ana tjetër, jam optimist rreth mundësive për arritjen e një kompromisi midis Beogradit dhe Prishtinës. Unë parashikoj, tha zoti Buçkovski, se gjatë vitit të ardhshëm, Beogradi dhe Prishtina do të gjejnë një zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës.”

Zoti Buçkovski ka arsye të jetë i interesuar për zhvillimet në Kosovë. Maqedonia kufizohet me Kosovën dhe koalicioni i saj qeveritar përfshin një parti politike shqiptare që ka lidhje të ngushta me udhëheqësit shqiptarë në Prishtinë.

Kryeministri maqedonas beson se bazat e një kompromisi varen nga aftësitë e Prishtinës për të kuptuar se të drejtat e pakicës serbe të krahinës, si edhe objektet e saj fetare, duhet të mbrohen.

Edhe udhëheqësit serbë, shtoi ai, duhet ta kuptojnë se dështimi për të zhvilluar negociata serioze për Kosovën do të vërë në rrezik objektivin e Serbisë për të hyrë në radhët e Bashkimit Evropian.

Kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka propozuar që Kosova duhet të ketë një status diku midis autonomisë dhe pavarësisë. Zoti Buçkovski shpehu mbështetje për këtë qendrim:

“Sipas mendimit tim, tha udhëheqësi maqedonas, deklarata e Koshtunicës rreth Kosovës, më shumë se autonomi, por më pak se pavarësi, është një hap përpara drejt arritjes së një kompromisis midis Beogradit dhe Prishtinës. Unë mendoj, shtoi Kryeministri Buçkovski, se një farë pavarësie e kushtëzuar do të jetë një hap i parë drejt një kompromisi të mundshëm midis Beogradit dhe Prishtinës, së bashku me komunitetin ndërkombëtar.”

Është në plan që negociatat për Kosovën të hapen nga fillimi i nëntorit. Ato do të kryesohen nga një diplomat i Bashkimit Evropian i ndihmuar nga zëvendës amerikanë dhe rusë.

XS
SM
MD
LG