Lidhje

SHBA: Jep dorëheqjen shefi i personelit të Nënpresidentit, Ljuis Libi.


Shefi i personelit të nënpresidentit Dik Çejni, Ljuis Libi, dha dorëheqjen pasi u akuzua për deklarata të rreme dhe pengim të drejtësisë. Një juri e madhe federale amerikane paraqiti sot akuzat pas një procesi hetimor afro 2-vjeçar lidhur me rolin e zyrtarit të Shtëpisë së Bardhë në zbulimin e identitetit të agjentes së CIA-s Valerie Plejm në vitin 2003.

Aktapadia e akuzon zotin Libi se ka gënjyer para hetuesve lidhur me mënyrën dhe momentin kur kishte mësuar identitetin e zonjës Plejm. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat e ngritura, zoti Libby mund të dënohet me deri 30 vjet burgim dhe me gjobë mbi 1 milion dollarë. Këshilltari kryesor i presidentit Bush Karl Rove nuk është akuzuar, por thuhet se vazhdojnë hetimet lidhur me implikimin e tij.

Prokurori i posaçëm në këtë proces, Patrik Fitzgerald do të mbajë së shpejti një konferencë shtypi. Identiteti i zonjës Plame si agjente e CIA-s iu përcoll mjeteve të medias, pasi i shoqi i saj, diplomati Joseph Wilson akuzoi administratën e presidentit Bush se kishte manipuluar të dhënat e zbulimit për të justifikuar luftën në Irak. Zoti Wilson i cilëson veprimet e Shtëpisë së Bardhë si ndëshkim ndaj tij.

Ljuis Libi, i angazhuar në çdo gjë që ka bërë nënpresidenti

Shefi i personelit të nënpresidentit, Dik Çejni, Ljuis Libi, është njohur si një individ i heshtur, por me shumë influencë në administatën e Presidentit Bush.

55-vjeçari Libi luajti rol në formulimin e argumenteve për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak, duke thënë se regjimi i Sadam Huseinit kishte armë të shkatërrimit në masë. Deri tani nuk janë gjetur armë të tilla.

Zoti Libi ka qendruar larg medias por kolegët tij thonë se ai ka qënë i angazhuar ngushtësisht në çdo gjë që ka bërë nënpresidenti. I njohur gjerësisht me emrin përkëdhelës “Scooter”, zoti Libi është gjithashtu avokat dhe shkrimtar, i cili është vlerësuar shumë për një roman që botoi në vitin 1996.

Patrik Fixherald, prokurori i posaçëm në hetimin e çështjes Plejm

Patrik Fixherald, u emërua si prokuror i posaçëm në dhjetor të vitit 2003 për të hetuar rastin e zbulimit të identitetit të një agjenteje të CIA-s. Që prej atëhere, ai ka intervistuar Presidentin Bush, Nënpresidentin Dik Chejni dhe të paktën 20 vetë të tjerë, për të përcaktuar se kush u tha reporterëve se Valerie Plame ishte agjente sekrete e CIA-s.

Presidenti e ka vlerësuar zotin Fitzgerald se ka bërë një hetim të ndershëm. Kolegët e vlerësojnë zotin Fitzgerald si një prokuror të shkëlqyer, tepër serioz në punë, pa prirje partiake dhe të palodhur. Disa njerëz që kanë punuar me të thonë se ai është i prirur të vërë në zbatim deri në fund ligjin gjatë procesit të hetimeve.

Ai tërhoqi për herë të parë vemendjen kur ndoqi dhe ngriti akuzat kundër sheikut Omar Abdel Rahman në vitin 1993 pës shpërthimin në qendrën botërore të tregtisë në New York. Më pas, ai përgatiti akuzën e parë kriminale kundër Osama Bin Ladenit lidhur me shpërthimet në gusht të vitit 1998 në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani. Katër nga bashkëpunëtorët e ngushtë të udhëheqësit të al-Qaidës u gjykuan dhe u dënuan me dënim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara. Prokurori 44-vjeçar është bir i një imigranti irlandez. Ai ka lindur në New York dhe është diplomuar nga Fakulteti Juridik i Universitetit Harvard. Që nga viti 2001 ai jeton në Chicago, ku punon si prokuror qarku.

XS
SM
MD
LG