Lidhje

Grupi negociator i Kosovës nuk miraton përbërjen e grupeve të punës për bisedimet e statusit


Grupi negociator i Kosovës nuk e miratoi sot përbërjen e grupeve punuese për bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.

Presidenti Ibrahim Rugova që kryeson grupin, tha se megjithatë, takimi kishte qenë konstruktiv.

“Ne, - tha Presidenti Rugova,- biseduam për grupet punuese që do të funksionojnë. Kishte edhe disa propozime te tjera, kështu që në mbledhjen e ardhshme brenda disa ditësh do të bëjmë aprovimin e grupeve punuese. Dhe po ashtu edhe të cështjeve e dokumenteve të tjera”.

Hashim Thaçi, Kryetari i Partisë më të madhe në opozitë, Partisë Demokratike, tha se do të ishte me interes për të gjithë, që autoriteti përfundimtar për statusin politik të bartet në Parlamentin e Kosovës.

“Të gjitha vendimet pra të këtij grupi të ri konfirmohen nga Parlamenti i Kosovës. Por, që të jemi sa më të përgatitur dhe të kemi të ndara përgjegjësitë e duhura, do të ishte me interes të nxirret një rregullore e punës së grupit negociator dhe ky ekip negociator për mendimin tim te jetë nje ekip konsultativ; parlamenti i Kosovës të jetë ekipi vendimmarrës apo për statusin politik të deklarohen vetë qytetarët përmes referendumit gjithëqytetar dhe mendoj se duhet të krijohet hapësira demokratike dhe ajo legale të organizohet”.

Zoti Thaçi kërkoi amnistimin dhe lirimin e ish-komandantëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së, duke thënë se nuk mund të hyhet në bisedime për statusin politik me clirimtarët nëpër burgje. Kryetari i Partisë "Ora" tha se ekzistojnë dy shpejtësi rreth negociatave.

“Njëra është e bashkësisë ndërkombëtare e cila ka marrë shpejtesinë e katërt dhe brenda dy apo tri javësh presim fillimin e negociatave. Ekziston një shpejtësi të cilën ne do të dëshironim të ishte shumë më e madhe, kjo e jona”.

Zoti Surroi tha se duhet të ketë një forcim të grupit politik dhe që ky grup negociator duhet të ketë një platformë, që duhet të kalojë në parlament dhe të legjitimojë interesat politike të cilat do t’i përfaqësojë ky grup politik.

“Çështja e dytë është sic e dini nevoja që të konsultohemi me komunitetet, prandaj na nevojitet një këshill konsultativ por këto janë disa nga idetë që do t’I shqyrtojmë në mbledhjen tonë të ardhshme. Shpresojme dhe shpresoj personalisht se në mbledhjen e ardhshme do të kemi më shumë kreativitet edhe mirëkuptim për idetë e njëri tjetrit edhe tolerancë e përgjegjësi për momentet nëpër të cilat po kalojmë”.- tha zoti Surroi.

Kryetari i Parlamentit, Nexhat Daci, tha se grupet punuese duhet të jenë bërthama institucionale në të cilën bëjnë pjesë pozita dhe opozita dhe ekspertët ndëkombëtarë.

“E ajo që ishte finalja është që në emër të delegacionit të Kosovës për përparimet e deritashme, mbledhjes së ardhshme të grupit të kontaktit që do të takohet me 2 nëntor në Uashington do t’i drejtohet presidenti me një letër në emër të delegacionit të Kosovës. Është një punë në vazhdimësi dhe shpresojmë që rezultetet nuk do të mungojnë edhe në dinamikë edhe pse ndoshta ne si Ballkan ecim më ngadalë po ecim sigurt”. - tha zoti Daci.

Grupi negociator i Kosovës thotë se pavarësia është çështje e panegociueshme për shqiptarët e Kosovës ndërkohë që Beogradi thotë se ofron autonomi thelbësore.

XS
SM
MD
LG