Lidhje

Presidenti Bush tha se i vjen keq për akt-akuzat ndaj një ndihmësi të lartë të nën-presidentit Çeni, porse administrata do të vazhdojë punën normalisht


Presidenti Bush tha se administrata e tij do të vazhdojë punën normalisht dhe nuk do të humbasë fokusin për shkak të akuzave ndaj një zyrtari të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Ai tha se i vjen keq për akt-akauzat dhe dorëheqjen e ndihmësit të lartë të nën-presidentit Çeni. Levis Libi u akuza të premten për shkelje ligji dhe rolin e tij në nxjerrjen e emrit të një agjenteje të CIA-s. Prokurori Patricj Fitzgerald tha se hetimet nuk kanë përfunduar ende.

Administrata e presidentit Bush e pati argumentuar nevojën për të ndërhyrë ushtarakisht në Irak me praninë e armëve të shkatërrimit në këtë vend. Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit në vitin 2002, presidenti Bush tha se regjimi i Sadamit po përpiqej të prodhonte antraks, gaz nervor dhe armë bërthamore. Kur mbajti fjalimin mbi gjendjen e vendit në janar 2003, presidenti përsëri e cilësoi Irakun si rrezik të madh, duke thënë se programi i tij i armëve ishte ende aktiv: “Qeveria britanike ka mësuar se Sadam Huseini është përpjekur kohët e fundit të blejë sasi të mëdha uraniumi nga Afrika”.

Administrata e presidentit Bush kishte zhvilluar hetime mbi këtë mundësi. Administrata dërgoi ish-ambasadorin amerikan, Xhozef Uilson, në Niger të Afrikës Qendrore. Ai njoftoi më pas se nuk kishte prova që Iraku po përpiqej të blinte uranium, një element i rëndësishëm për të prodhuar teknologji bërthamore, dhe se nuk mund të thuhej me siguri që kishte blerë uranium më parë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se dokumentet e zbulimit që u bënë shkak për procesin hetimor, ishin të falsifikuara. Megjithatë, në fjalimin e presidentit mbi gjendjen e vendit u theksuan përpjekjet e Irakut për të blerë uranium. Pas kësaj, administrata paraqiti provat e saj se Iraku kishte armë të shkatërrimit në masë. Në mars të vitit 2003 një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndërhyri ushtarakisht në Irak, por armët e shkatërrimit në masë nuk janë gjetur ende. Kritikët e akuzuan presidentin Bush se kishte manipuluar të dhënat e zbulimit për armët irakiane të shkatërrimit në masë për të justifikuar ndërhyrjen ushtarake.

Kristofer Arterton është dekan i Studimeve pasuniversitare në menaxhim politik në Universitetin George Washington:”Në thelb të incidentit është akuza se dikush në administratë ka manipuluar të dhënat e zbulimit, për t’ia përshtatur ato politikave, pra administrata po përpiqej të gjente ndonjë justifikim për të argumentuar ndërhyrjen në Irak”.

Në verën e vitit 2003, ambasadori Uilson shkroi në një artikull të botuar në “New York Times” se, nëse administrata e Presidentit Bush qëllimisht nuk e kishte përfillur raportin e tij, pasi nuk i shkonte për shtat ideve të kristalizuara për Irakun, atëherë mund të thuhet se administrata ndërhyri në Irak për arsye të paqena.

Tetë ditë më pas analisti konservator, Robert Novak, shkroi një artikull në të cilin bënte publik emrin e së shoqes së diplomatit Uilson, Valeri Pllejm, e cila ishte agjente e CIA-s. Nxjerrja qëllimisht e identitetit të një agjenti të CIA-s është vepër penale, pasi një veprim i tillë mund të vërë në rrezik jetë njerëzish dhe sigurimin kombëtar.

Xhon Fortier, analist në Institutin Enterprise, thotë se nxjerrja e informatave jopublike duke përdorur shtypin është një praktikë e njohur në Uashington: ”Eshtë një praktikë e zakonshme dhe e rëndësishme që u vlen gazetarëve. Administrata aktuale është treguar shumë hermetike dhe nuk ka lejuar që informata të përcillen tek shtypi, përveç rasteve kur kjo bëhej qëllimisht. Arsyeja përse këtë radhë kjo praktikë ka çuar në një proces hetimor, është fakti që këtu përfshihen çështje të sigurimit kombëtar”.

Pasi u ngrit ideja se nxjerrja e këtij informacioni ishte ndëshkim ndaj ambasadorit Uilson, Departamenti i Drejtësisë caktoi një prokuror të posaçëm, që konsiderohet si një individ më i paanshëm se Prokurori i Përgjithshëm, i cili emërohet nga presidenti. Prokurori i Posaçëm Patrik Fitxherald intervistoi disa gazetarë për të zbuluar se kush e nxori emrin e agjentes Plame. Një prej tyre, Judith Miller e New York Times, preferoi të shkonte në burg dhe jo të nxirrte burimin e informatës, i cili ishte Luis Skuter Libi, shefi i personelit të nënpresidentit Çeni.

Tani zoti Libi është akuzuar për dëshmi të rreme lidhur me nxjerrjen e identitetit të agjentes dhe ka dhënë dorëheqjen. Ai presupozohet i pafajshëm derisa fajësia të provohet në gjykatë. Zoti Libi është përfshirë tani në listën e gjatë të zyrtarëve të lartë të admnistratave amerikane, qofshin republikane apo demokrate, të cilët kanë qenë objekt hetimesh për shkelje të ligjit.

Profesor Arterton i Universitetit “George Washington” thotë se fakti që askush, as edhe zyrtarët më të lartë të administratës nuk mund t’i shpëtojnë ligjit, është një shembull pozitiv i funksionimit të demokracisë. “Bota duhet t’i vërë mendjen këtij fakti, se ne në këtë demokraci të avancuar nuk ngurojmë t’ua nënshtrojmë ligjit figurat tona të larta dhe t’i ndëshkojmë ata për shkeljen e ligjit”. //az//

XS
SM
MD
LG