Lidhje

SHBA: Si mund të ndikojë aktpadija ndaj ish-zyrtarit Libi mbi administratën


Faza e ardhshme në procesin ndaj zyrtarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, Luis Libi, është dalja e tij në gjyq, ku mund të thirret për të dëshmuar edhe nën presidenti Dick Cheney. Sipas një njoftimi zoti Libi mund të dalë që javën tjetër para gjykatësit për të deklaruar në se i pranon apo jo akuzat. Ai është akuzuar për dëshmi të rreme, pengim të drejtësisë dhe deklarata jo të vërteta gjatë procesit hetimor lidhur me personin që nxori identitetin e agjentes së CIA-s, Valerie Pleim. Ngritja e akuzave dhe dorëheqja e Luis Libit, mund të kenë ndikim mbi mbarë administratën e presidentit Bush.

Luis Skuter Libi, ish-shefi i personelit të nënpresidentit Çeini, nxori një deklaratë përmes avokatit të tij në të cilën thoshte se ka besim se ky proces do të provojë që ai është plotësisht i pafajshëm. Të premten nënpresidenti ishte në shtetin Xhorxhia dhe u zotua se administrata do të vazhdojë punën për realizimin e nismave të saj. "Unë dhe presidenti do të vazhdojmë punën për përparësitë e vendit, rritjen ekonomike, shtimin e begatisë për amerikanët dhe mbrojtjen e vendit nga të gjithë ata që na duan të keqen," tha nënpresidenti.

Xhon Fortier, analist në Institutin koservator Enterprise, thotë se rënia e popullaritetit të presidentit që pas fillimit të procesit hetimor mund të ndikojë negativisht në qëndrimin e Kongresit ndaj programit të tij të brendshëm, si dhe në vetë partinë e tij: "Presidenti Bush ka gëzuar mbështetje të fortë nga baza e partisë republikane, por tani që ka humbur mbështetjen e përgjithshme në vend, edhe kjo bazë e konservatorëve mund ta braktisë," thotë analisti.

Por pedagogu i Universitetit Xhorxh Uashington, Kristofer Arterton, mendon se ky skandal nuk do të ketë ndikim afat-gjatë mbi administratën. "Memorja e njerëzve nuk zgjat shumë. Mendoj se krizën po e përjetojmë aktualisht dhe ajo do ta njollosë administratën për një periudhë të shkurtër kohe," mendon zoti Arterton.

Ish-këshilltari i pavarur Robert Rei thotë se aktpadia nuk duhet parë si konfirmim faji. Ai foli mbi zhvillimet e fundit në programin televiziv NewsHour with Jim Lehrer, në rrjetin PBS: "Në një farë mënyre aktpadia nuk nënkupton asgjë për procesin gjyqësor. Është thjeshtë ngritje akuzash, dhe shënon fillimin e procesit," thotë zoti Rei.

Hetimet ndërkohë vazhdojnë dhe kanë në qendër të vëmendjes edhe një tjetër figurë të lartë të administratës së presidentit Bush, zëvendës-shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë Karl Rouv.

XS
SM
MD
LG