Lidhje

Luis Libi përballë akuzave: Çfarë nënkuptojnë këto akuza dhe ku u bazua pala akuzuese


Shefi i Personelit të Nën Presidenti Dick Cheny, i cili dha dorëheqjen të premten, ndeshet përballë akuzave për dëshmi të reme dhe deklarata të pavërteta gjatë hetimeve se cili zyrtar e bëri publike emrin e një agjenteje të fshehtë të CIA-s. Në vazhdim një material që u hedh një vështrim akuzave me të cilat ndeshet një prej njerëzve më të besuar të nën presidentit, Luis Libi.

Akt-padia e akuzon zotin Libi se gënjeu para jurisë së madhe kur u pyet se nga e kishte mësuar emrin e agjentes së CIA-s, Valeri Wilson. Bashkëshorti i saj, ishte një nga kritikët kryesorë të argumentave që paraqiti administrata e Presidentit Bush si justifikim për ndërhyrjen në Irak dhe zoti Wilson thotë se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e nxorën qëllimisht identitetin e bashkëshortes së tij në shenjë hakmarrjeje.

Gjatë një konference shtypi duke parashtruar akuzat ndaj zotit Libi, prokurori i posaçëm Patrick Fitzgerald, tha se mbrojtja e fshehtësisë së agjentëve të CIA-s është jetike për sigurimin kombëtar. “Miqtë e Valeri Wilsonit, fqinjët, shokët e shkollës nuk e dinin se ajo kishte edhe një jetë tjetër. Fakti që ajo punonte për CIA-n nuk mbahej i fshehtë vetëm për atë vetë, por edhe për gjithë ne të tjerët. Është e rëndësishme që identiteti i oficerëve të CIA-s të mbrohet, jo vetëm për ata vetë, por për sigurimin kombëtar.”

Zoti Fitzgerald thotë se ata që punojnë për CIA-n e dinë se janë përherë nën rrezik se diçka mund t’u ndodhë, por shton ai, është e rëndësishme që punonjësit e CIA-s, të mos vihen në rrezik nga kolegët e tyre që punojnë për qeverinë.

Identiteti i zonjës Wilson si agjente e CIA-s, u bë për herë të parë publik në vitin 2003 nga komentatori politik Robert Novak. Por prokurori Fitzgerald thotë se zoti Novak nuk ishte gazetari i parë të cilit i ishte thënë se zonja Wilson punonte për CIA-n.

Akt-padia thotë se zoti Libbi i kishte thënë gazetares së Nju Jork Tajmsit, Judith Miller një muaj më parë për identitetin e saj. Gjatë hetimeve, zoti Libby i tha jurisë së madhe se për herë të parë ai mësoi rreth identitetit të zonjës Wilson gjatë një bisede me gazetarin e rrjetit NBC Tim Russert dhe më pas ia kaloi informacionin zonjës Miller dhe gazetarit të revistës Tajms, Mathew Cooper.

I ndodhur përballë provave se për zonjën Wilson atij i kishte folur Nën Presidenti Cheney, që një muaj para bisedës që ai kishte patur me gazetarin Tim Russert, siç thekson prokurori Fitzgerald, Luis Libi e ndryshoi dëshminë e tij. “Ai e pranoi se kishte dëgjuar nga nënpresidenti, që në qershor të vitit 2003 rreth bashkëshortes së zotit Wilson, por tha se e kishte harruar këtë fakt. Dhe kur e dëgjoi përsëri informacionin nga gazetari Russert gjatë një bisede telefonike, ai e mori faktin si të ri. Dhe kur ia kaloi atë gazetarëve të tjerë Cooper dhe Miller, pas disa ditësh, ua kaloi atyre si informacion që kujtonte se e kishte marë thjesht nga gazetarët dhe që ai nuk e dinte në se ishte i vërtetë apo jo. Ai thotë se thjesht po përcillte thashetheme nga një gazetar tek tjetri.

Duket si një histori bindëse, që mund ta largonte FBI-në nga hetimet e mëtejshme, por vetëm në se do të ishte e vërtetë. Siç thuhet në akt-padi ajo që pretendon ai nuk është e vërtetë.” Prokurori i posaçëm thotë se zoti Libi ishte i përfshirë në të paktën 5 biseda rreth zonjës Wilson, para se të fliste me gazetarët. Akt-padia ndaj zotit Libi nuk u ka dhënë fund hetimeve mbi personat përgjegjës për nxjerrjen e emrit të agjentes së CIA-s.

Këshilltari politik i Presidentit Bush, Karl Rove po ashtu ka biseduar me gazetarët dhe edhe ai është duke u hetuar. Zoti Fitzgerald shton se ai nuk po bën ndonjë akuzë se Nën Presidenti Dick Cheny ose ndonjë zyrtar tjetër i përfshirë në bisedat rreth emrit të zonjës Wilson ka bërë ndonjë shkelje. “Nuk mund t’u jap përgjigje se çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë, me përjashtim të asaj që kemi thënë në akt-padi. Jo se dëshiroj të jem në këtë pozitë, por sepse ligji është i tillë. Dhe kjo është rruga e duhur. Ne nuk mund të flasim për informacione të tjera, që nuk janë të përfshira në akt-padi."

Zoti Fitzgerald thotë se kur qytetarët dëshmojnë para jurisë së madhe ata janë të detyruar me ligj të thonë të vërtetën, pasi pa të, sistemi i drejtësisë nuk mund t’i shërbejë vendit ose qytetarëve të tij. Kjo kërkesë thotë ai, është e vlefshme për të gjithë, që nga qytetari i thjeshtë e deri tek ata me postet më të larta. Avokati i zotit Libi thotë se klienti i tij është i bindur se kur të përfundojë procesi gjyqësor, ai do të shpallet plotësisht i pafajshëm nga akuzat.

XS
SM
MD
LG