Lidhje

Presidenti Bush emëron Samuel Alito kandidat për në Gjykatën e Lartë


Presidenti Bush emëroi anëtarin e Gjykatës së Apeleve, Samuel Alito për të zënë vendin e anëtares së Gjykatës së Lartë, Sandra Day O’Connor. Emërimi bëhet bëhet vetëm pak ditë pasi këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Harriet Majërs, tërhoqi kandidaturën e saj për këtë post.

Harriet Majërs u kritikua për mungesë të përvojës në ligjin kushtetutor dhe sepse ajo nuk kishte qënë kurrë gjykatëse. Që kur doli në Shtëpinë e Bardhë me gjykatësin Samuel Alito, presidenti e bëri të qartë se kandidati i tij tjetër për në Gjykatën e Lartë ndryshon shumë nga zonjz Majërs.

Ai tha se gjykatësi Alito, i cili u emërua në gjykatën federale të apeleve në vitin 1990, ka më shumë përvojë juridike se çdo kandidat tjetër për në Gjykatën e Lartë në 70 vjetët e fundit.

“Reputacioni i gjykatësit Alito është rritur gjithnjë e më shumë gjatë viteve të shërbimit të tij. Ai ka marrë pjesë në mijëra apele dhe ka formuluar qindra opinione.”

Kjo përvojë është vlerësuar lart nga konservatorët, të cilët shprehën dyshime serioze për këshilltaren e Shtëpisë së Bardhë, Harriet Majërs.

Por ndërsa u përpoq të kënaqte konservatorët, presidenti Bush mund të ketë krijuar skenën për një betejë më të ashpër me demokratët në senatin amerikan. Ata argumentojnë se zëvëndësimi i anëtares së moderuar të Gjykatës së Lartë, O’Connor me një konservator të patundur mund të ndryshojë përbërjen ideologjike të gjykatës për dekata me radhë.

Udhëheqësi i demokratëve në senat, Harry Reid ka paralajmëruar për një problem të mundshëm. Ai foli dje në një program televiziv dhe tha se presidenti mund të ketë shpresë tek një betejë me demokratët për të larguar vemendjen nga probleme të tjera, me të cilat përballet administrata, si për shembull rënia e mbështetjes për luftën në Irak dhe dorëheqja e shefit të personelit të nën-presidentit Dick Cheney.

“Duket se administrata kërkon të ketë një betejë këtu në senat për të larguar vëmëndjen nga shumë probleme që ka pasur në Shtëpinë e Bardhë.”

Demokratët kanë paralajmëruar se mund të përdorin taktika vonuese, si për shembull një debat të pafund, për të penguar konfirmimin e një kandidati për në Gjykatën e Lartë, për të cilin ata mendojnë se është shumë konservator. Republikanët, të cilët kanë shumicën në senat, janë shprehur se i kanë votat e nevojshme për të siguruar konfirmimin e kandidatit.

Kur bëri njoftimin, presidenti nuk përmendi drejtpërdrejt mosmarrëveshjet politike që mund të dalin përpara. Përkundrazi, ai u përqëndrua në kualifikimet ligjore të gjykatësit Alito. Ai e cilësoi atë si një gjykatës të shquar, një mjeshtër të interpretimit të ligjit dhe njeri me shumë karakter.

“Ai është shumë i ditur, i drejtë e me parime dhe me këto cilësi do t’i shërbejë vendit tonë më së miri në gjykatën më të lartë.”

Presidenti i bëri thirrje senatit që ta konfirmojë gjykatësin Samuel Alito në postin e anëtarit më të ri të Gjykatës së Lartë deri në fund të vitit.

Duke pranuar emërimin nga presidenti, gjykatësi Alito u përqëndrua në respektin e tij për gjykatën e lartë, duke thënë se ky respekt i është shtuar gjatë 29 vjetëve në shërbimin e tij publik, si avokat i qeverisë, si prokuror dhe gjykatës.

“Gjatë gjithë kësaj kohe, vlerësimi im për rolin jetësor që ka Gjykata e Lartë në sistemin tonë kushtetutor është shtuar gjithnjë e më shumë.”

Gjykatësi Alito është 55 vjeç dhe paraqiti çështjen e tij të parë ligjore në Gjyjkatën e Lartë si avokat i departamentit të drejtësisë kur ishte 29 vjeç. Ai kujtoi se anëtarja e Gjykatës së Lartë, që i bëri atij pyetjen e parë atë ditë ishte gruaja që ai është emëruar të zëvëndësojë në Gjykatën e Lartë, Sandra Day O’Connor.

XS
SM
MD
LG